Prokurorja Drita Hajdari dhe autori i emisionit "Drejtësia në Kosovë Kreshnik Gashi, Foto: KALLXO.com

VIDEO - Prokurorja e 'Prontos' tregon pse Kadri Veseli e Hashim Thaçi nuk ishin pjesë e aktakuzës

 

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë”, prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari e cila ishte prokurore në rastin e njohur për publikun si rasti “Pronto”, në një intervistë tregoi rrjedhën e këtij rasti që nga fillimi.

Sipas Prokurores Speciale, nuk ka pasur bazë për të akuzuar Ish- kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin e Presidentin Hashim Thaçi.

“Po edhe kjo është një prej arëve që i servohet publikut që kinse Drita Hajdari qëllimisht nuk ka akuzuar, presidentin dhe Kadri Veselin dhe për këtë paska dështu aktakuza. Kjo çështje potencohet në situatë kur të gjithë janë liruar. Paramendojeni nëse kisha akuzu presidentin e Kadri Veselin ata ishin liru”, tha ajo.

“Pse, sepse nuk kam pasur asnjë bazë ligjore nuk kemi asnjë bisedë të vetme në bazë të transkriptimeve që i ka bo policia që Grabovci e Presidenti për ndonjë punësim”, tregon ajo.

“Këtu është problemi që vetë të akuzuarit refuzojnë të dhënë një sqarim dhe të deshifrojnë bisedat”, shtoi ajo.

Prokurorja Hajdari thotë se edhe personat e akuzuar për rastin “Pronto” janë peshq të mëdhenj.

“Unë nuk e di çka konsiderohet si peshq të mëdhenj sepse nëse flasim për peshq të mëdhenj, konsideroj se edhe këta janë peshq të mëdhenj siç janë ministra, ish- ministra, zëvendësministra, kryesues të bordeve, drejtor të bordeve kjo është një strukturë, mjaft e kisha quajtur si persona zyrtar të nivelit të lartë mirëpo janë edhe njerëz të fuqishëm dhe jam mëse e bindur që krejt kjo cka po ndodh pas vendimit lirues ka të bëj me fuqinë e tyre politike edhe në fushën e disa mediave dhe disa përfaqësuesve të shoqërisë civile që sulmojnë aktakuzën nën petkat e shoqërisë civile”, tha ajo.

“Po shihet çka po  ndodh ditëve të fundit po servohen gënjeshtra duke dezinformuar opinionin, nuk kanë fije turpi nga kjo fushatë kundër prokurorisë dhe kundër meje”, tha ajo.

Autori i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Kreshnik Gashi e ballafaqoi prokuroren Hajdari me ato që janë diskutuar në opinion se pse nuk janë në këtë aktakuzë edhe ish- Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, Sami Lushtaku e Presidenti Thaçi të cilët dëgjohen në përgjimet e rastit “Pronto”.

Ajo tregoi se një prokuror nuk mund të ngrit aktakuzë që të dështoj.

“Nuk është dilemë kur thoni që aktakuza është ndërtuar asisoj për me dështu. Kjo nuk është dilemë kjo është gënjeshtër, është dezinformim poshtërsi e paparë. Për sa një prokuror e ndërton aktakuzën e zhvillon hetime për me dështu? Kjo e cenon inteligjencën e një njeriu”, tha ai.

Gjykata e Prishtinës i ka liruar nga akuza të gjithë të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Pronto’.

Gjykata e Prishtinës më 3 janar të këtij viti shpalli aktgjykimin me të cilin liroi Adem Grabovcin, Besim Beqajn, Zenun Pajazitin dhe 8 të akuzuarit e tjerë në rastin e shumëpërfolur “Pronto”: Ilhami Gashin, Xhavit Dakajn, Fatmir Shurdhajn, Sadat Gashin, Ismet Nezirajn, Rexhë Abazin, Nijazi Kryeziun dhe Arbenita Pajazitin.

Gjykata kishte gjetur se nuk ka prova se të akuzuarit gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011, kanë komunikuar me zyrtarë të lartë për caktimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve në pozitën e kryeshefave ekzekutivë në bordet e drejtorëve në ndërmarrjet publike ‘’Trainkos’’, ‘’Infrakos’’, ‘’Hidro-Drini’’, ‘’Radoniqi-Dukagjini’’.

Sipas akgjykimit të shpallur në fillim të këtij viti, Gjykata ka konstatuar se nuk ka prova se të akuzuarit kanë kryer veprën penale – shkelja e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës.

Grabovci, Beqaj, Pajaziti dhe të tjerët akuzoheshin se gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011 kishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme në pozita udhëheqëse njerëz të afërt të tyre ose me partinë e tyre në ndërmarrjet publike “Trainkos”, “Infrakos”, “Hidro-Drini”, “Radoniqi-Dukagjini”, etj.

Pasi Prokuroria kishte ngritur aktakuzën për përgjimet e rastit “Pronto”, gjykimi  kishte filluar me 1 tetor 2018, ndërsa me 15 nëntor Grabovci, Beqaj, Pajaziti e 8 të akuzuarit e tjerë ishin deklaruar të pafajshëm.

Gjykimi në rastin e njohur si “Pronto” përfundoi me 12 seanca gjyqësore, pas 455 ditësh, ose 1 viti e 2 muaj e 29 ditë, pas ngritjes së aktakuzës.