VIDEO - Prokurori i Prizrenit nuk e dinte për ekzistencën e dokumentit që vlerësoi dëmin ndaj “Infrakos”

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan ekskluzivisht dëshmi se si njerëz brenda Ndërmarrjes “Infrakos” u mundësuan strukturave udhëheqëse politike në Prizren që në një rast penal të kishin më të lehtë akuzën që ishte ngritur.

Ani pse në pamjet e transmetuara nga “Drejtësia në Kosovë” vërehet se thuajse gjithë linja e hekurudhës është e dëmtuar dhe vlera e saj mund të jetë milionshe, një gjë të tillë e mohojnë drejtuesit e Infrakos duke thënë se dëmi është vlerësuar vetëm 104 mijë euro.

“Drejtesia në Kosovë” kishte siguruar një dokument që është bërë më 11 dhjetor nga ana e Drejtorit të Mirëmbajtjes, Nexhmi Rama dhe të njëjtin dokument i kishte paraqitur prokurorit.

Ky i fundit nuk kishte qenë asnjëherë në dijeni se ekziston një dokument i tillë.

“Unë sot nga ju po e shoh këtë dokument respektivisht mund të them që në seancën e parë nuk ka ekzistuar ky dokument dhe zyrtarisht nuk e kam pranuar”, tha Nixha.

Ai shton se “Infrakos” është e obliguar të paraqes këtë dokument.

“Me siguri ata janë edhe të obliguar që të na dërgojnë këtë dokument përmes gjykatës dhe me siguri kur ta pranoj të detajizuar e kam të drejtën që të jap mendimin dhe të kërkoj nëse duhet ndonjë ekspertizë të re”, shtoi ai.

Avokati i njërit nga të akuzuarit, ish- drejtorit të Urbanizmit në Prizren, Bujar Nerjovaj, Blerim Mazreku tha se nuk qëndrojnë pretendimet e prokurorisë.

“Çështje kontestuese është se i njëjti i ka shkaktuar mbi 100 mijë euro dëm Infrakos. Për ne kjo nuk qëndron. Për më tepër është e quditshme se si ka ardhur deri te vlerësimi kësaj shume ku me vetëm një rresht është treguar se dëmi i hekurudhës në Prizren është 104 mijë euro pa ndonjë eksprtizë të detajuar ku do të specifikohej se si ka ardhur deri të dëmi, cilat metoda janë aplikuar në përcaktimin e dëmit dhe më shumë nuk është caktuar kjo vlerë për cilën pjesë të hekurudhav bëhet fjalë”, tha Mazreku.

Edhe ky njëjtë si prokurori nuk kishte dijeni për dokumentin e vlerësimit të dëmit ndaj “Infrakos”-it.

“Asnjëherë nuk e kam parë këtë dokument është hera e parë që po e shoh nga ana juaj”, shtoi ai.

Tutje Mazreku tha se do të kundërshtojnë dokumentin.

“Fillimish kjo eskpertizë nuk i plotëson kushtet e të konsiderohet si ekspertizë sepse Kodi i Procedurës Penal e thotë qartë se kush e bën ekspertizën cilat praktike përdoren pastaj a ka raste të ngjashme për përcaktimin e vlerës së dëmit dhe fillimisht duhet të ketë një përshkrim se për çka përbëhet kjo ekspertizë. Kjo ma shumë është çmimore se ekspertizë”, thotë ai.

Madje avokati e kosideron tendencioze se si një vlerësim të tillë e ka bërë njëri nga vartësit e ish- drejtuesit të “Infrakos”-it.

“Me vetë faktin që është bërë nga ana e drejtorit të Infrakos tregon që kjo ekspertizë konsiderohet tendencioze”, tha ai.

Prokurori Nixha tha se do të kërkoj nëse duhet edhe ekspertizë ndërkombëtare.

“Ne nuk kemi mundur që në bazë të vlerës që na ka dhënë përfaqësuesi i palës së dëmtuar të specifikojmë secilin prej të gjithë të akuzuarve se sa është vlera e dëmit. Në fund të fundit vlera e demit është e tillë andaj edhe me ndonjë ekspertizë pas pranimit të dokumentit që do të na dërgojnë dhe quditërisht unë më vie shumë keq që Infrakos nuk ka bërë deri parangritjes së aktakuzës një gjë të tillë. Përvet faktin që kemi të bëjmë me një ligj, për të cilin mund të prononcohet vetëm qeveria atëherë kjo është çështje serioz sa i përket përcaktimit të dëmit. Unë dëmin e kam caktuar në bazë të deklaratës së palës së dëmtuar. Nëse e shoh që ajo ka qenë jo reale jo e vërtetë atëherë do të kërkojmë ekspertizë”, shtoi ai.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Themelore në Prizren kishte ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave, tre ish drejtorëve të Urbanizmit në Prizren, një drejtori të inspeksionit në po këtë komunë, një inspektori, Drejtorit të “Infrakos”-it dhe një zyrtari të patundshmërisë.

Të shtatë personave i ishte ngarkuar vepra penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëm të shkaktuar ndaj “Infrakos”-it në vlerë të 104 mijë e 674 eurove.

Linja hekurudhore e cila përshkon qytetin e Prizrenit është e dëmtuar dhe e pa përdorshme.

Ani pse një vlerë e kostos së riparimit është vlerësuar nga ana e Drejtorisë së Mirëmbajtjes së “Infrakos”-it në vlerë prej 104 mijë eurove, në të nuk hyjnë dëmet që janë shkaktuar për këtë ndërmarrje nga uzurpimet e pronave dhe fuqisë punëtore.

Në emisionin e sotëm u vu në pah se dëmet të cilat shihen vizualisht, nuk janë vetëm mjëra euro por mund të kalojnë miliona.