VIDEO: Prodhuesit e qumështit këmbëkryq në shesh në pritje të Kryeministrit

Të grumbulluar fillimisht në parkingun prapa Pallatit të Rinisë në kryeqytet, anëtarë të qumështoreve të Kosovës kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për mosshitjen e qumështit.

Të organizuar e me pankarta në duar ata kanë filluar ‘udhëtimin’ drejt ndërtesës së Qeverisë. Gjatë këtij rrugëtimi ata janë penguar nga Policia.

Në mes të zhurmës e pengimit nga Policia ata kanë derdhur 100 mijë litra qumësht, për të cilin thanë se “edhe ashtu nuk kanë ku ta shesin”.

Policia i urdhëroi të ndalojnë protestën dhe të mos vazhdojnë rrugën për te Qeveria, por ata nuk u ndalën për çka edhe kishin ardhur – shprehja e pakënaqësisë.

Me të arritur përballë Qeverisë kërkesa e tyre ishte të takoheshin me kryeministrin, Avdullah Hotin, por ai nuk u doli përballë për të dëgjuar brengat e tyre, andaj protestuesit u ulën këmbëkryq.

Udhëheqësi i Shoqatës së Qumështoreve, Ramadan Mema, thotë se me kryeministrin nuk janë takuar asnjëherë, ndërsa ministri i Bujqësisë, Besjan Mustafa, u ka thënë se nuk ka kapacitet t’u ndihmojë.

“Mesa duket kryeministri ka një agjendë. Ministri i Bujqësisë ka shprehur gatishmërinë me u taku me ne, por në takimin e mëparshëm me ministrin e Bujqësisë ka thënë se nuk ka kompetencë me na ndihmu. Ne i kemi bërë thirrje publike disa herë kryeministrit, por asnjëherëë nuk kemi arritur të takohemi”, tha Mema.

Tutje, ai potencoi se protestat do të vazhdojnë shumë shpejtë dhe nuk do të mbahen në Prishtinë, por do të bllokojnë rrugët.

E shqetësuar për mosshitje të qumështit shprehet njëra nga protestueset. Ajo thotë se qumështin po detyrohen të derdhin.

“Po duhet të derdhim qumështin prej zorit”, thotë protestuesja tjetër.

Një tjetër protestues thotë se po kërkojnë një zgjidhje.

“Ne jemi këtu për të punuar, nuk po kërkojmë as para, po lypim me punu. Le të bëjnë një zgjidhje”, shprehet i shqetësuar njëri nga protestuesit.