Ilustrim

VIDEO - Problemi i furnizimit me ujë i banorëve të Bërnicës së Epërme

Banorët e Bërnicës së Epërme vazhdojnë të kenë problem me furnizimin e ujit edhe pse rrjeti i ujësjellësit është i shtrirë në këtë fshat ata po ankohen se nuk ka ujë.

Ata po furnizohen me ujë përmes puseve por në disa shtëpi uji është i papijshëm, kështu që ata po detyrohen ta blejnë atë.

Fahri Sheqiri banor i këtij fshati tregon se kanë bërë një protestë por as kjo nuk ka arritur të zgjidh problemin.

“Këtu afërsisht janë diku 300 shtëpi, problemi kryesor në këtë lagje prej pasluftës dhe këndej është uji i pijes edhe pse rrjeti është i shtrirë në çdo rrugë, ujë nuk ka, premtime kemi marrë çdo vit bile sivjet prej qershorit, kemi bërë edhe një peticion edhe një protestë”- tha ai për KALLXO.com.

Banorët që kanë hapur edhe puse për të zgjidhur çështjen e ujit janë përballë edhe me shterimin e tyre gjatë verës, duke pamundësuar furnizimin me deri në përfundim të stinës.

Rexhep Ruhani që banon në këtë fshat thotë se ka mbetur pa ujë tre muaj për këtë është detyruar të hapë një pus tjetër.

“Vjet, tre muaj ditë, në vapën e madhe që ka qenë, na është shtjerrë edhe pusi, në atë kohë kishim nevojë për ujë, e gjejmë një kompani që bën shpuarjen e puseve 60 metra i kemi shpuar, tash me atë kemi ujë, kjo nuk do të thotë që unë e kam bërë zgjidhjen, e kanë bërë gjithë lagjjia këtu, gjithë e kanë të njëjtin problem, gjithë janë me bunare” – thotë ai.

Përveç puseve për të zgjidhur problemin e ujit të pijes, disa blejnë dhe të tjerë largohen disa kilometra larg për tu furnizuar.

Halit Islami banor i fshatit thotë se puset janë të mbushura me gëlqere dhe ekspertiza e ujit ka dalë të jetë negative.

“Na i kemi bunaret, bunaret janë me gëlqere, kemi bërë ekspertizën ka dalë negativ nuk guxojmë me, përdorë për pije por as me u pastru edhe për rroba qereqi djeg”- tha Islami.

Halit Maka që banon këtu tregon se i duhen 42 kilometra të kalojë deri në fshatin e tij të mëparshëm për tu furnizuar me ujë.

“Shkojmë me marrë atje, shkojmë me marrë deri shtatë kilometra i ka me marrë ujë prej atje ose atje i ka 42 kilometra deri në katund timin”-është shprehur Maka.

Tutje theksoi se kjo situatë ka krijuar vështirësi edhe në pastrim të gjësendeve shtëpiake dhe personale.

“Është e vështirë, kur nuk ka ujë po duhet me i la teshat me dorë, enët me dorë” – shton ai.

Rexhep Ruhani thotë se si gjithë të tjerët vazhdon të furnizohet me ujë prej pusit ndërsa pombat e premtuara ende nuk janë sjellë.

“Tash gjoja na kanë premtu se kanë marrë pompa me vendos edhe me shfrytëzu me ujë të pijshëm, deri tash kemi përdor prej puseve ashtu si kemi mundur, i pijshëm nuk është, unë për veti blej me bidona”-bëri të ditur ai.

Sipas banorit Fahri Sheqiri problemi qëndron në vendosjen e disa pompave shtytëse të cilat mundësojnë prurjen e ujit me rënie të lirë.

“Këtu problemi është vendosja e disa pompave shtytëse për shkak se është lartësi dhe nuk vjen uji me rënie të lirë nga ujësjellësi, ato pompat komuna po thotë që i ka kontraktuar tash vetëm pritet ujësjellësi me ardhë dhe me i montu” – thotë Sheqiri.

Nga KRU “Prishtina” kanë thënë se problemi kryesisht është tek ndërtimet e reja, sipas tyre po punojnë me Komunën e Prishtinës dhe janë duke punuar në zgjidhjen e problemit.

“Ne si kompani para 3 vjetësh kemi dhënë një sasi të gypit të ujit 800-900 metra të profilit  fi 90 dhe fi 70, dhe tani jemi në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës për zgjidhjen e këtij problemi, ndërtimin e një Stacioni të Pompave , me ç’rast Komuna e bën sigurimin e pompave dhe vend lokacionin e ndërtimit në mënyrë që këta konsumatorë të mos e kenë më problemin e furnizimit me ujë të pijshëm”- njofton ujësjellësi.

Si zgjidhje po mendohet ndërtimi i një Stacioni të pompave.