VIDEO - Problemet e banorëve të Nerodimës me infrastrukturën

Banorët e fshatit Nerodime të Ferizajt tash e disa vite janë duke u përballur me mungesën e trotuarit tek ura e rrugës “Epopeja e Jezercit”, si dhe me kanalizim dhe rrugë të paasfaltuar në lagjen “Haxhi Banushi”.

Përfaqësuesit e fshatit kanë treguar për KALLXO.com se një ndër problemet më të mëdha është mungesa e trotuarit për kalimin e rrugës deri tek shkolla.

“Problemi më i madh i kësaj ure është tek fëmijët që shkojnë në shkollë, ka pas dy tre aksidente këtu, për fat të mirë një vajzë e vogël nuk ka pas lëndime të mëdha që e kanë goditë në këtë urë, nuk kanë nga me kalu fëmija, ky i rritur është nuk ka nga me kalu. Duhet me bë një trotuar”, ka thënë Avni Nuha, përfaqësues i fshatit Nerodime.

Meriton Hajdini, drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt ka thënë se gjatë këtij viti pritet të bëhet zgjidhje.

“Ne kemi pasur edhe nga banorët e asaj zone kërkesë për këtë çështje, dhe u kemi premtuar se shumë shpejtë do të bëjmë një zgjidhje që aty të ndërtohet një urë lidhëse me urën ekzistuese vetëm për këmbësorë në mënyrë që të bëhet lidhja e trotuarit në mes vete dhe këmbësorët të kalojnë pa kaluar nëpërmjet rrugës”, ka thënë Hajdini.

Fadil Hajdari, përfaqësues i lagjes “Haxhi Banushi” ka bërë të ditur se kanë bërë kërkesa të shumta, por deri me tani përveç premtimeve nga ana e komunarëve kërkesat e tyre nuk janë shqyrtuar.

“Pengesë e rrugës është pikërisht ky vendi këtu, ku këtu është një ngushtim i rrugës. Dikush ka dal në rrugë, dikush ka lëshu rrugë shumë dhe është një problem kështu. Organet komunale nuk merren asnjëherë me këtë problem, e dinë shumë mirë këtë rast, por nuk merren asnjëherë me këtë punë. Kemi edhe një problem tjetër, kemi me e pa më poshtë, është kanalizimi, i cili del mbi rrugë”, është shprehur Hajdari.

Drejtori i Hajdini ka premtuar se problemi me kanalizimin do të rregullohet sapo kompania e kontraktuar të përfundojë pushimin dimëror.

“Arsyet për mos përfundimin e rrugës “Haxhi Banushi” janë si në vijim: Problemet pronësore – juridike si dhe problemi i kanalizimit. Kanalizimi i njërës pjesë ka përfunduar, mirëpo kemi pasur ankesa edhe ne kanalizimin e vjetër, problem ky që do të zgjidhet menjëherë posa të fillojnë punimet nga kompania e cila për momentin gjendet ne pushim dimëror”, ka thënë Hajdini.