VIDEO: Pritja e gjatë për asfaltimin e rrugës së shkurtër në Dyz

Është e shkurtë jo më shumë se 300 metra, por banorët e një rruge në Dyz tash e disa vjet e nisin vitin me shikimin se kur po ju vijnë ekskavatorët për ta asfaltuar atë.

Disa banorë janë ankuar në KALLXO.com se stinët e dimrit janë të papërballueshme për ta për shkak të baltës që krijohet.

Hasan Bajoku është njëri nga banorët i cili pretendon se në këtë pjesë të fshatit vetëm kjo rrugë rreth 300 metra ka mbetur pa shtruar me asfalt.

“Kur të bien borë këtu është shumë problem me dalë se bëhet goxha borë e madhe edhe kur të bie shi po bëhet lloq e qetash është mirë masi është ngritë ama kur po bëhet lloq s’po mun del edhe jemi pleq, jam i sëmurë, tre vëllezërit jemi të sëmurë. Në rregull ish kanë moralisht dhe me ligj me tanat që me na e shtru në këtë rrugë sikur krejt dyjaja, mos me pas shtru tjerave katune nuk isha anku. Po tanëve jau kanë shtru, e na nuk kem shanse me shtru ma qit udhë”, u shpreh ai.

Për shtrimin e kësaj rruge, ai pretendon se kanë dhënë disa herë të holla.

 

“Për këtë rrugë kemi dhënë katër herë pare, fatura nuk i kemi se është shku mes katunit, kryetarit të katunit e ren qashtu, këtu fakte s’kam. Amo janë njerëzit që kemi dhanë pare. Kanë dhanë këta kojshia, edhe na i kemi dhanë njëherë 700 njëherë 500 e njëherë 1000 se i kam dy vllazni në Gjermani, e i kanë dhanë paret e thoshin pe shtrojmë edhe kanalizimin e kurrë su shtru, paret u hëngrën”, tha ai.

Ndërkaq, Komuna e Podujevës në një përgjigje për KALLXO.com ka deklaruar se nuk e kanë të planifikuar që të ndërtohet as këtë vit.

“Në fshatin Dyz kemi investuar vitin e kaluar me 65 mijë euro rrugë, dhe për shkak të pamundësive të mjeteve financiare nuk kemi mundur më shumë. Nuk është vetëm kjo rrugë, ka edhe të tjera. Krejt këto rrugë që janë shtruar, janë në bashkëpunim me komunitetin dhe me kryetarin e fshatit. Kjo rrugë nuk është planifikuar që të ndërtohet në 2020”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Podujevës për KALLXO.com.