VIDEO: Prishtinë, kompania suspendon nga puna konduktorin që rrahu udhëtarin

Një qytetar është sulmuar fizikisht nga konduktori i një autobusi me të cilin ai po udhëtonte.

Ngjarja ka ndodhur para disa ditësh në Prishtinë.

Kompania “24 Yjet” e ka konfirmuar për KALLXO.com se në incident ishte i përfshirë konduktori i njërit autobus të tyre.

Sipas kompanisë rasti ka ndodhur pasi që qytetari është hasur nga kontrolla pa biletë dhe pasi është larguar kontrolla udhëtari ka sharë me fjalë banale konduktorin.

“Arsyeja ka qenë se gjatë kontrollës për bileta, personi në fjalë ka qenë pa biletë. Pasi janë larguar kontrolla ai ka ofenduar kondukterin, e ka sharë me fjalë banale në prani të udhëtarëve. Vozitësi e ka larguar nga autobusi por prapë e ka sharë kondukterin. Për këtë munden me deklaru edhe kontrolla edhe vozitësi dhe konduktori”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “24 Yjet”.

Kompania tregon se ka suspenduar nga puna konduktorin deri në një vendim të ardhshëm.

“Nuk jemi një kompani që kemi sjellje të tilla por shpresoj që të vetëdijesohemi se nuk lejohet pa pagesën e udhëtimit dhe nuk lejohen sharjet apo ofendimet. Prej pagesës së biletave ne i paguajmë punëtorët”, kanë thënë nga kompania “24 Yjet”.