VIDEO - Prishtina përballet me mungesë të punëtorëve shëndetësorë

Komuna e Prishtinës po përballet me mungesë të punëtorëve shëndetësorë, nëpër qendrat e mjekësisë familjare.

Në krahasim me vitin e kaluar, sipas drejtorit të Shëndetësisë në këtë komunë, Bujar Gashit, ka mungesë për rreth 40 punëtorë.

Por Gashi thotë se numri i pacientëve që marrin shërbime, nuk e sfidon kapacitetin.

“Realisht gjendja e Mjekësive Familjare në shumicën e aspekteve është stabile dhe e qëndrueshme sa i përket situatës. Të kthehemi pak në retrospektivë, në muajt janar dhe shkurt kishim një fluks të madh të qytetarëve, realisht të pacientëve, para pandemisë”, ka thënë Gashi për KALLXO.com.

Sipas tij, që nga 2 qershori kur ka filluar rritja e numrit të personave të infektuar me COVID-19, komuna e Prishtinës ka ndryshuar orarin e mjekëve dhe infermierëve që punojnë që qendrat e mjekësisë familjare.

“Normalisht që u desht të ndryshojmë edhe orarin, në mnëyrë që të pengojmë përhapjen e virusit, ose të minimizojmë mundësinë e përhapjes së virusit edhe për brenda punëtorëve shëndetësorë dhe kaluam në orarin 12 orësh, derisa kanë qenë duke punuar 8 orësh. Por, asesi rritje numrit të orëve ose orarit përtej normës e cila është e bazuar në Ligjin e Punës, sa i përket numrit të orëve për punëtorin shëndetësor”.

Në komunën e Prishtinës momentalisht janë 436 raste aktive, ndërsa sipas drejtorit Gashi, gjendja e tyre është stabile.

“Në përgjithësi, shumica prej tyre janë në gjendje stabile, kontaktohen në baza ditore nga Shtabi i komunës së Prishtinës, rastet të cilat janë të moshave të shtyera, mbi 60 vjeçare, që i kemi 34 qytetarë, kontaktohen më shpesh, për të pyetur për gjendjen e tyre dhe vizitohen atëherë kur ata kanë nevojë”.

Deri më tani në Kosovë numri total i të infektuarve me COVID-19 është 2677, 1425 janë shëruar, 49 kanë vdekur, ndërsa numri i rasteve aktive është 1,203.