VIDEO: Presidentja Vjosa Osmani ia dorëzon flamurin ekipit olimpik

11 sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” sot u është dorëzuar flamuri shtetëror.

Dorëzimi i flamurit është bërë nga presidentja, Vjosa Osmani, në një ceremoni të organizuar bashkë me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK).

Ekipi olimpik i Kosovës këtë vit përbëhet nga 6 vajza dhe 5 djem, apo tre sportistë më shumë se në Lojërat Olimpike të vitit 2016, kur ishin 8.

Këtë vit Kosovë në Lojërat Olimpike do të përfshihet në sportet si: xhudo, mundje, atletikë, not, boks dhe shenjëtari sportive.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në këtë ceremoni tha se pjesëmarrja e Kosovës në këto lojëra nënkupton ripërtërirje të krenarisë së Kosovës, sikur kur fitoi Majlinda Kelmendi.

“Krenaria që kemi nxjerrë gjithsecili kur e ngriti Majlinda flamurin në podium, ajo na mban bashkë me shpresën që rishtazi ajo do të bëjë që himni i Kosovës të jehojë gjithandej. Por, kemi bindje se edhe të tjerët do ta ngrenë lartë emrin e Kosovës dhe do t’ia shtojnë nderin mes qindrave kombesh të tjera”, tha ajo.

Ajo kërkoi nga sportistët që ta mbajnë flamurin me krenari, pasi sipas saj me valëvitjen e flamurit, valon shpirti garues i gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Ju lus që flamurin ta mbani me krenari sepse përfaqëson  simbolin tuaj identitar por edhe krenarinë që do të garoni në këto lojëra. Me valëvitjen e tij do të valojë edhe shpirti garues i secilit qytetar të Kosovës, dëshira për ta bërë vendin tuaj”, tha Osmani.

“Jam e bindur se do të udhëtoni drejt Tokios me pikërisht këto këmbëngulje, me dëshirë të zjarrtë për të fituar dhe për ta bërë krenar Kosovën dhe emrin tuaj. Jeni krenaria dhe nderi i Republikës!”, shtoi ajo.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se 11 sportistët do të përfaqësojnë Kosovën karshi shteteve shumë të mëdha.

“Nuk është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike ajo që po festojmë, por është fitorja në të cilën shpresojmë, ndonëse s’ju përkrahim nga afër me lejoni të ju falënderohem për mundin që e keni bërë dhe e gjithë Kosovë do të jetë prapa jush duke ju përcjellur dhe duke ju përkrahur nga larg dhe me zemër”, tha Kurti.

Ismet Krasniqi, president i KOK-ut, tha se pavarësisht rezultateve që do t’i bëjnë sportistët, ata janë historia e vendit.

“Pavarësisht rezultateve tuaja dhe nëse do të ju shohim apo jo në piedestal, ndjehuni krenarë për vendin tuaj, për arritjet tuaja për vendin që e përfaqësoni, sepse jeni ju historia, jeni e ardhmja e ndryshme e sportit tonë, për çka ne jemi krenar gjithmonë. Urojmë të ju shohim duke e lartësuat flamurin tonë”, tha më tej Krasniqi.

Komiteti Olimpik i Kosovës prezanton listën finale të sportistëve për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”