VIDEO: Policia jep detaje për vdekjen e Qerim Kelmendit në Pejë

Policia në rajonin e Pejës ka mbajtur një konferencë ku ka dhënë detaje për vdekjen e Qerim Kelmendit në orët e para të mëngjesit.

Zëvendësdrejtori i Policisë në Pejë, Veton Elshani ka thënë para mediave që policia është informuar për këtë rast sot rreth orës 01:30.

“Sot në mëngjes rreth orës 01:30, Policia e Kosovës, Drejtoria në Pejë është informuar se në Zahaq të Pejës në një rrugë është duke u djegur një veturë me të marr informatën policia dhe zjarrfikësit kanë dal në vendin e  ngjarjes dhe kanë shuar zjarrin dhe më pas është vërejtur se një person gjendet në veturë’, ka thënë Elshani.

Ai tutje ka shtuar se Sektori i Hetimeve në Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet në mënyrë që të sqarohen rrethanat e këtij rasti.

Elshani nuk ka përjashtuar mundësin që Kelmendi të jetë qëlluar me armë zjarri.

“Për momentin nuk kemi persona të dyshuar , përveç se ka pasur mundësi të ketë pasur të shtëna me armë zjarri dhe si pasojë e armës së zjarrit viktima ka ndërruar jetë”, ka thënë Elshani.

Ai tutje ka shtuar se për detaje të tjera rreth rastit duhet të pritet raporti i autopsisë.

KALLXO.com ka transmetuar live konferencën e Policisë në Pejë.

LIVE – Policia jep detaje për vrasjen e Qerim Kelmendit

Publiée par Kallxo.com sur Jeudi 27 février 2020

Zenel Kelmendi, vëllai i Qerim Kelmendit i cili u gjet i vdekur brenda një veture të djegur në afërsi të shtëpisë së tij në fshatin Llabjan të Pejës, ka thënë për KALLXO.com se nuk kanë dyshime në askënd deri më tani.

“Njëherë për njëherë nuk kemi dyshime. Kam bisedu me të ndjerin para një jave, bile ish fjala jo Haga a thirrin, tha ‘punë e madhe shlir shkoj’, mirëpo ai nuk ka qenë i ftuar nga Gjykata Speciale por thojke kishin ba mirë me m’thirrë”, tha Zenel Kelmendi.

Ai shtoi se dikush qëndron prapa kësaj për të cilën tha se “ka qenë e organizuar dhe e rrallë”.

“Dikush qëndron mbrapa kësaj. Policia është ende në vendin e ngjarjes, është shumë atentat i organizuar dhe sipas informacioneve të para të hetuesisë po dyshohet që brenda 30 metrave janë shtënë 3 rrafalla. Sipas gëzhojave dhe kur e kanë vërtetu që e kanë vra e kanë kallë kerrin me një kofë me benzinë”, tha Kelmendi.

Më herët, reagoi edhe vëllai tjetër i viktimës, ish-drejtuesi i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Ibrahim Kelmendi.

Ibrahim Kelmendi reagimin e tij e ka shoqëruar me një fotografi të vëllait në uniformë të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), bashkë me dy dëshmorët Ilir Konushevci e Adrian Krasniqi.

“Festoni rugovistë “pacifistë” – dorë e zgjatur vrastare e Serbisë! Mallkimi dhe turpi ju mbulofshin, qelbësira shqipfolëse!”, ka shkruar Kelmendi në Facebook pak orë pasi trupi i vëllait të tij, Qerim Kelmendit, u gjet i vdekur në një veturë të djegur në fshatin Llabjan të Pejës.