VIDEO: Policia e Kosovës zbulon laborator ku kultivohej kanabis

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Prishtinës gjatë ditës kanë zbuluar një laborator në Shkabaj të Prishtinës, në të cilin kultivohej kanabisi.

Në të njëjtin operacion Policia arrestoi dy persona, të cilët me vendim të prokurorit u dërguan në mbajtje për 48 orë.

Sipas njoftimit të Policisë në këtë operacion janë sekuestruar:

594 vazo të mbjella me bime të kanabisit, me gjatësi rreth 2 metra dhe peshë të përgjithshme rreth 300 kg,

Sistemi i ventilimit,

Pajisjet për ndriçim,

Pajisjet për ujitje të bimëve,

10 pako me pesticide,

2 vetura,

Një revole 7.65 mm,

8 fishekë,

3 telefona si dhe prova tjera materiale.

Policia ka thënë në njoftim se ky operacion ka ardhur pas dy operacioneve të tjera të suksesshme të Drejtorisë së antidrogës ndaj dukurisë së laboratorëve.

Operacioni i parë është kryer më 24 nëntor 2021, në fshatin Grashticë-Prishtinë, ku sipas Policisë ishin të kultivuara rreth 72 bimë dhe ishte arrestuar një i dyshuar.

Ndërsa operacioni i dytë ishte kryer më 25 nëntor 2021 në fshatin Prugovc-Prishtinë , ku në një laborator të mbyllur ishin zbuluar 112 bimë të mbjella të kanabisit.

Sipas Policisë edhe në këtë rast ishte arrestuar një i dyshuar.