VIDEO: Policët nuk i treguan prokurorit se ishte sulmuar Rifat Goxhuli e ishte plagosur gruaja e tij

Vrasja e Bekim Birinxhikut nga Valon Goxhuli, plagosja e dy personave të tjerë, u trajtuan në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë”.

Vite më parë, një pritë që i ishte bërë Valon Goxhulit, ish- polic në Skenderaj, përfundoi me një të vdekur, atij të Bekim Birinxhikut.

Pasi që kishte filluar të hetonte kërcënimet ndaj dëshmitarëve të cilët kishin parë rastin e pritës ndaj vëllait të tij, Rifat Goxhuli ishte sulmuar në afërsi të oborrit të tij me kallashikovë, në të njëjtën kohë, gjuajtet me armë në drejtim të shtëpisë së tij ia plagosën gruan.

Rifat Goxhuli rrëfeu gjithë historinë e vrasjeve që tronditën Skenderajn deri sa tregoi edhe se si kolegët e tij polic nuk e kishin informuar saktë Prokurorin e rastit në atë kohë, Njiazi Rexha se çfarë saktësisht kishte ndodhur natën e sulmit ndaj Rifatit.

“Prokuror ka qenë Njiazi Rexha. Çka është më e quditshmja këtu, pas një jave sepse Njiazi Rexha në vend të ngjarjes nuk ka qenë kurrë as nuk e ka ditë ku është vendi i ngjarjes. Kur kam shku me bisedu me të në zyre të tij dhe kam kërkuar sqarime se si është e mundur që po sulmohet një zyrtar policor dhe dihen personat 99 përqind kush jon dhe nuk ndërmerr kurgjo, më tha Rifat nuk më kanë dhanë këto sene, mu policia më ka thanë veç, u gjujt një kerr nuk e dim kënd e kan gjujt, nuk e dijmë kush ka gjujt nuk ka të lënduar”, tregon Rifat Goxhuli.

Pas kësaj deklarate, Rifat Goxhuli i ka treguar edhe audio-incizimin, Drejtësisë në Kosovë ku tregon saktë se çfarë kishte biseduar me zyrtarët policor që kanë qenë në vendin e ngjarjes.

“Në skenderaj është gjuajt një kerr, nuk dihet kush ka gjujt, nuk dihet kënd e kanë gjujt, nuk dihet kush është i dëmtuar, nuk ka të lënduar ma tepër nuk dimë. Nuk du mu arsyetu para teje por para Zotit jam i drejtë edhe po du me kallxu arsyen qysh ka qenë. Aj e ka pa raportin, këto janë të parat hala pa ardh në shikim edhe i kam thanë këqyr çka ka dhe më informo. Aj ka ardh kur ka ardhë, e ka pa që gruaja e plagosur ka pa gëzhoja kanë filluar vendshiqimin pa mua edhe kur e kanë kry më kanë thirrë”, dëgjohet biseda e transmetuar mbrëmjen e sotme në Drejtësia në Kosovë mes Rifat Goxhulit dhe prokurorit Njazi Rexha.

“Në fillim nuk e kemi ditë ka qenë informatë fillestare, për çka është bo ndaj një personi zyrtar unë kisha dalë në vendin e ngjarjes. As aj nuk e ka ditë për çka po del, është gjuajt një kerr nuk dihet kush është i dëmtuar, kush është i dyshuar nuk ka të lënduar më tepër nuk di me të kallxu”, vazhdoi prokurori Rexha bisedën me Goxhulin.

Polici i cili raportoi prokurorin për sulmin ndaj policit Rifat Goxhuli nuk u hetua asnjëherë nga organet e rendit.

I kontaktuar nga Drejtësia në Kosovë, prokurori Rexha komentoi pretendimet e Rifat Goxhulit se askush nuk është marrë me sulmuesit e tij.

“Po është e vërtetë, hala nuk dihet kurrgjë. Në rastin e vëllait të tij, Maliqi është i ngarkuar ndërsa personi tjetër kush është nuk dihet kush është, edhe në rastin tjetër është një person por nuk dihet kush është. IPK merret me rastin e Azem Bulliqit jo ne”, ishte përgjigja e prokurorit Rexha ndaj emisionit “Drejtësia në Kosovë”.

Për të kërkuar sqarime të metutjeshme prokurori Rexha kur u thirr në telefon tha se ishte zënë dhe e kishte mbyllur telefonin.

Rifat Goxhuli, ish-polic në Stacionin Policor në Skenderaj tani i cili ka dalë jashtë vendit për shkak të sulmit që kishte ndaj tij dhe bashkëshortes së tij, ka treguar se pavarësisht se ai kishte dijeni se kush ishin të dyshuarit nuk është bërë asgjë.

“Për këtë arsye jam detyruar edhe ndaj kolegëve të mi kam inicuar lënde në Inspektoriat të Policisë dhe në Këshill Prokuroria. Këshilli Prokurorial nuk më kanë kthy asgjë ndërsa për zyrtarët policor, sipas burimeve në IPK më thojën se ju ka ardhur nga stafi komandues lartë me i pushu hetimet në lidhje me rastin”, tregon Rifat Goxhuli.

Polici Goxhuli tregon se rasti i tij nuk ishte hetuar asnjëherë ndërsa ai tani, për shkak të rrethanave dhe rrezikut që mund të kishte në Kosovë ka emigruar jashtë vendit për të mbajtur familjen e sigurtë.