VIDEO: Polemikat mes Vjosa Osmanit dhe Bedri Hamzës

 

Seanca plenare po vazhdon me përplasje mes kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza.

Përderisa po fliste Hamza në foltore jashtë temës së rendit të ditës, atij nuk iu lejua që të vazhdojë.

“Duhet t’i përmbani rendit të ditës, kryesia ka vendos që me shku vetëm më ketë rend. Prandaj ju lus që të deklaroheni vetëm për komisionet parlamentare,” i tha Osmani-Hamzës.

“Nuk ke nevojë me bërtit, po ju dëgjojmë shumë mirë. Po ua sqaroj procedurat. Ne po tregojmë mirëkuptim përkundër faktit që ju patet të drejtë mos ta votoni rendin e ditës por e votuat. Atë të propozuar nga Qeveria dhe atë të propozuar nga kryesia, por kësaj radhe po tregojmë mirëkuptim pasi e keni herën e parë. Edhe herëve tjera i lexoni pak me mirë,” ka thënë Osmani.

Ndërkaq, Hamza këtë sjellje të Osmanit e ka quajtur ‘arrogancë’.

“Zonja kryetare, nuk iu duhet kjo arrogancë, nuk e ke nis mirë. Keq e ki. Faleminderit për këshillën për tonalitetin, do të flas më but, ma qetë, ma melodik, por një di me ta thënë, keq e ke nis – ndërrohu, me arrogancë nuk të çon kërkun,” tha ai.

Pasi kërkoi fjalën për herën e 3-të shefi i grupit parlamentar të PDK-së i tha Vjosa Osmanit se “nuk është në nderen tënde a ma jep fjalën por është punë e rregullores”.

Osmani ditë më parë ka thënë se PDK’ja ka nisur bojkotin që nga zgjedhja e saj, e Hamza thotë se kur ajo u zgjodh kryetare, pozita i ka lajmëruar vonë për seancë.

“Jeni zgjedhur pa prezencë të opozitës. Nuk e kemi bojkotuar seancën sepse s’jemi opozitë e shtetit, mirëpo ju e keni përjashtu opozitën, duke mos e thirrur seancën në kohë. Ne nuk e kemi ditur dhe nuk kemi marrë ftesë,” është shprehur ai.

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën në të cilën pritet të bëhet shqyrtimi i propozim-vendimit për formimin e komisioneve parlamentare.

Mërgim Lushtaku ka vendosur fotografinë e presidentit Hashim Thaçit në ballë të Kuvendit të Kosovës.

https://www.facebook.com/kallxo/videos/274911393474473/