Kroaci pas tërmetit - Foto: Qeveria kroate

VIDEO: Pesë të vdekur nga tërmeti në Kroaci

Nga një tërmet i fuqishëm që goditi Kroacinë të martën, një vajzë 12 vjeçe vdiq në qytetin Petrinje, ndërsa trupat e pajetë të katër personave të tjerë u nxorën nga rrënojat në qytetin Glina, njoftuan autoritetet kroate.

“Një vajzë ka vdekur, qyteti i Petrinjës na ka informuar”, tha kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, teksa dha informacionet e para për pasojat e tërmetit prej 6.2 shkallësh të Richterit.

Kryebashkiaku i Glinës, Stjepan Kostanjeviq, tha në një deklaratë për televizionin shtetëror se trupat e katër personave të vrarë në tërmet, janë nxjerrë nga rrënojat në këtë qytet.

Tërmeti është ndjerë pas orës 12:00 në kryeqytetin kroat, Zagreb, por edhe në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi.

Qendra Seizmologjike Euro-mesdhetare (EMSC) konfirmoi se fuqia e tij ishte 6.4 shkallë të Rihterit.

Sipas EMSC, epiqendra ishte 46 kilometra në juglindje të Zagrebit.

Kryqi i Kuq tha se në qytetin e Petrinjës, 58 kilometra nga Zagrebi, situata është shumë serioze dhe se ekipet e tij janë në terren.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, tha se do të duhen fonde të mëdha për të rindërtuar qytetin e Petrinjës.

“Vitin e kaluar Durrësi dhe ky është praktikisht një tërmet me fuqinë e njëjtë. Do të duhen shumë para. Kjo do të kalojë përmes Bashkimit Evropian. Nuk shqetësohem, ky qytet do të rindërtohet, por askush nuk mund të kompensojë dëmin emocional. Petrinja do të rindërtohet me para nga BE-ja”, tha Millanoviq.

EMSC tha se ky është tërmeti më i fortë që ka goditur Kroacinë këtë vit dhe se tërmetet e kësaj fuqie mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme pranë epiqendrës.

Ministria e Punëve të Brendshme bëri thirrje për përmbajtje dhe të respektohen masat kundër koronavirusit edhe në vendet e hapura.

Centrali bërthamor në Krshko të Sllovenisë është mbyllur si masë paraprake, tha të martën zëdhënësja e uzinës.

“Unë mund të konfirmoj mbylljen si masë parandaluese”, i tha AFP -së Ida Novak Jerele.

Një ditë më herët (28 dhjetor) një tërmet më i butë, prej 5.2 shkallësh të Richterit, dridhi pjesën qendrore të Kroacisë dhe kryeqytetin e saj, Zagreb, duke shkaktuar dëme në disa ndërtesa.

Tërmeti u pasua nga një dridhje tjetër, me fuqi prej 4.9 shkallësh.

Në muajin mars, një tjetër tërmet prej 5.3 shkallësh të Richterit shkaktoi dëme të konsiderueshme në Zagreb. Një person vdiq dhe së paku 27 u plagosën./REL