Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

VIDEO - Përparim Rama nuk e komenton ankesën e Këshillit të Prindërve për drejtorin e DKA-së

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, nuk ka pranuar që të deklarohet lidhur me drejtoritë që ende janë pa “zot shtëpie” nga ana e partnerit të tij qeverisës, PDK.

Kjo ndërlidhur me faktin se për shkak të zvarritjes së këtij procesi ka mbetur edhe drejtoria e Arsimit pa udhëheqës të vetë në kohën kur pandemia po prek shumë shkolla të Prishtinës.

Të paarsyeshme e konsideroi edhe Këshilli i Prindërve të Prishtinës që reagoi të enjten duke thënë se pasojat po i bartin fëmijët.

Në konferencën për media që kryetari Rama mbajti të premten pas një takimi për trajtimin e qenve endacak, nuk pranoi që të përgjigjet për shqetësimin e Këshillit të Prindërve.

“Unë ju kisha lutë që të fokusohemi në temë sot, sepse është çështje e sigurisë”, u përgjigj Rama në pyetjen e KALLXO.com

Më 19 janar 2022, kryetari Përparim Rama bëri të ditur ekipin e tij të drejtorëve pas më shumë se 1 muaj nga dita që u betua në këtë pozitë.

Por, partneri i tij qeverisës, PDK-ja ende nuk i ka publikuar emrat e drejtorive që i takojnë sipas marrëveshjes. Si rrjedhojë, drejtoria e Arsimit i takon PDK-së. Rama paralajmëroi se deri në fund kësaj jave do të kompletohet i gjithë ekipi.