Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

VIDEO: PDK në Dragash kërkon që votat e diasporës të mos përfshihen në rezultatin përfundimtar

Kryetari i degës së Partisë Demokratikë të Kosovës në Dragash, Vehbi Nazifi, ka kërkuar nga KQZ dhe PZAP që rezultatet e votave të diasporës të mos përfshihen në vendimin përfundimtar.

“Nga ajo që pamë në QNR shumica e votave janë mbushur nga dora e njëjtë, zarfet janë shënuar nga dora e njëjtë”, ka thënë Nazifi për KALLXO.com.

Tutje Nazifi ka thënë se në rast që votat nga diaspora përfshihen në rezultatin përfundimtar, PDK në Dragash do të ndjekë anët ligjore.

“Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë që të fillojë hetimet sa më parë dhe t’i jepet fund keqpërdorimeve të votave me postë.  Jemi të gatshëm t’i ofrojmë Prokurorisë të gjitha informatat që posedojmë”, ka thënë ai.

Votat nga diaspora për kandidatët për kryetar të Dragashit e kanë përmbysur rezultatin për kryetar të kësaj komune.

Përderisa me votat e numëruara të dielën, rezultatet preliminare e nxirrnin të parin kandidatin e PDK-së, Shaban Shabani, tashmë me vota të diasporës prin kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini.

Bexhet Xheladini nga LDK-ja ka marrë 244 vota nga diaspora, dhe tashmë në total i ka 5,845, kurse ai i PDK-së, Shaban Shabani, nga diaspora i ka siguruar 54 vota dhe në total ka 5,702 vota.