VIDEO - PDK gjuan me dinarë të letrës ambasadorin Berishaj

Aktivistët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë zhvilluar një aksion gjatë kohës kur po mbahej Forumi Ekonomik Kosove Kroaci, duke hedhur dinarë të letrës në drejtim të ambasadorit Martin Berishaj.

Personi i cili e drejtoi aksionin u arrestuar me njëherë nga ana e Policisë së Kosovës.

“Është e papranueshme dhe e pafalshme mbrojtja që po i bëhet ambasadorit Berishaj nga Kryeministri Kurti. Ambasadori me aktakuzë Martin Berishaj nuk mund të jetë përfaqësues i denjë i Republikës së Kosovës në Kroaci, përkundrazi, sa të vazhdojë të jetë në detyrë ai do të dëmtojë seriozisht imazhin e Kosovës”- thuhet në deklaratën e PDK-së.

PDK ka kërkuar nga Policia e Kosovës lirimin e menjëhershëm të Milot Krasniqin.

“Njëkohësisht, duke dënuar trajtimin jo demokratik dhe në kundërshtim me lirinë e shprehjes të Policisë gjatë arrestimit të aktivistit tonë Milot Krasniqi, kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tij. Sot është arrestuar personi i gabuar”- është shprehur PDK.

Ambasadori Berishaj, është diskutuar në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar një shumë të parave tek një kompani private në Mal të Zi.

Sipas mediumit slloven, kompania private është në pronësi të Martin Berishajt.

Berishaj, ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

Martin Berishaj është emëruar ambasador i Kosovës në Kroaci në vitin 2021.