VIDEO: Pas pesë vitesh hetime arrestohen pesë shqiptarët që dyshoheshin për trafikim të kokainës

Një operacion tjetër ndërkombëtar antidrogë ka përfunduar me pesë të arrestuar për trafikim të drogave të forta.

Hetimet e nisura pesë vite më parë kanë zbuluar se një shtetas shqiptar drejtonte një kompani që merrej me importimin e ngarkesave të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut, e e cila financohej nga grupe të rëndësishme të trafikantëve të drogës që veprojnë në të gjithë Evropën.

Hetimet kanë nisur në vitin 2015 dhe gjatë kësaj periudhe janë mbi pesë milionë e gjysmë euro dhe pothuajse 4 tonë kokainë që janë kapur dhe sekuestruar nga Policia.

 

Policia e Shtetit ka publikuar edhe pamje të të arrestuarve të cilët më pas do të ekstradoheshin për në shtetet ku dyshoheshin se kishin kryer veprën penale të trafikimit me narkotik.

Operacioni antidrogë ishte koordinuar mes Policisë së Shtetit me EUROPOL, Eurojust si dhe me Shërbimin Ndërkombëtar Policor.

“Operacioni ndërkombëtar antidrogë i koduar “LOS BLANCOS”, i shtrirë në disa shtete, si Itali,  Shqipëri, Belgjikë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermani, Greqi, Holandë, Rumani, Hungari dhe Ekuador, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të drogave të forta. Në Shqipëri operacioni është zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Vlorë, Lezhë, Durrës e Shkodër, me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, të Njësisë së Kërkimit “Fast” dhe të Zyrës së  Interforcës në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Si rezultat i operacionit, në Tiranë, Vlorë, Lezhë e Durrës, janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi, 5 të kërkuar, konkretisht:

Në Tiranë është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi G. M., 35 vjeç, banues në Tiranë, Gjykata e Firences, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”,  për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Në Vlorë janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasit E. J., 27 vjeç dhe J. Ll., 31 vjeç, pasi Gjykata e Firences, Itali, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Në Durrës është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi, shtetasi R. I., 33 vjeç, pasi Gjykata e Firences, Itali, i caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”.

Në Lezhë është kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasi V. L., 40 vjeç, pasi Gjykata e Firences Itali, e ka dënuar me 24 vite burg, për veprën penale “Shkelje e ligjit mbi drogat“.

“Gjatë operacionit, Skuadra Mobile e Firences dhe Shërbimi Central Operativ i Policisë, në bashkëpunim me skuadrat e tjera kompetente lëvizëse, organet e policisë të shteteve të Bashkimit Evropian në fjalë dhe Policinë e Shtetit shqiptar, kanë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 30 shtetas, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike””, thuhet tutje në njoftim.