VIDEO: Parku industrial në Vushtrri kishte filluar të ndërtohej me material ilegal

 

Sonte në emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’ u transmetua hulumtimi për heshtjen e institucioneve shtetërore para një dukurie që po e shkatërron dhe degradon ambientin.

Kryeinspektori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Fatmir Gërguri, ka listuar disa raste për emisionin “Drejtësia në Kosovë” e ndër to ka përmendur edhe rastin e parkut industrial në Vushtrri.

“Sipas shënimeve që kemi një masë e atij materiali është ilegal. Materiali vazhdon me qenë aty po që në njëfarë mënyre është legalizuar pasi që është paguar gjoba për të”, theksoi Gërguri.

Ministria e Tregtisë është duke investuar në parku industrial në fshatin Lumadh të Vushtrrisë. Projekti rreth 14 hektarësh kishte filluar të mbushej me dhé i cili është marrë ilegalisht në fshatin Gllovatin të Vushtrrisë. Ky projekt ka kushtuar rreth 1.3 milion euro.

Kompanitë që marrin tenderë milionësh nga shteti janë po ato që e shkatërrojnë dhe e degradojnë ambientin duke eksportuar ilegalisht dhe duke e marrë zhavorrin dhe dheun në mënyrë ilegale e të njëjtin duke e hedhur në punishtet ku punojnë me paratë e buxhetit të shtetit.

Pikërisht në këtë park industrial në fshatin Lumadh të Vushtrrisë ekipi i DNK-së takon Burim Bytyqin, pronarin e Kompanisë ERST BAU, e cila është duke i kryer punimet.

Bytyqi nuk ka pranuar të flasë para kamerës por ka pranuar se e ka paguar dënimin e marrë nga KPMM.