Protesta e - Xhaketave të Verdha- në Paris të Francës.

VIDEO: Paris, polici rrah një protestues të përgjakur të shtrirë përtokë

Prokuroria e Parisit ka nisur hetimet pas dyshimeve se pjesëtarë të Policisë kanë përdorur dhunë të tepruar ndaj një protestuesi, gjatë protestës së djeshme të “Xhaketave të verdha”, raporton Le Figaro.

Në një video të publikuar në media dhe në rrjete sociale shihet se si një polic e godet një protestues, të cilin polici e kishte nën kontroll, pasi protestuesi ishte i shtrirë përtokë.

Pamjet tregojnë se protestuesi e kishte fytyrën të gjakosur para se të goditej nga polici.

Ndërsa, në pamje të tjera për të njëjtin rast shihet se si një polic e ndrydh me gju protestuesin, i cili përveç se është tërë gjak i ka edhe duart e lidhura prapa shpinës, raporton Le Figaro.

Protestuesi dëgjohet duke bërtitur.

Sidoqoftë, skena me këtë protestues nuk është e vetmja që tregon dhunën që dyshohet se u përdor nga forcat e rendit.

Në rrjete sociale po qarkullon edhe një video tjetër, në të cilën shihen policët duke goditur me shkopinj protestuesit duke ikur apo të shtrirë në tokë.

Këto pamje vijnë pak ditë pasi presidenti Emmanuel Macron i kërkoi ministrit të Brendshëm “propozime të shpejta” për të përmirësuar “deontologjinë e forcave të rendit”.