VIDEO: Paragllajdisti Hizdri Gubetini zë vendin e parë në garat ndërkombëtare në Turqi

Hizdri Gubetini paragllajdist nga Kosova arriti që në Alanya të Turqisë të marrë vendin e parë fundjavën e kaluar.

Ky nuk është suksesi i tij i vetëm. Ai numëron një vistër suksesesh e mbresash.

Gubetini duket një profesionist pasionant.

Duke qenë i shpërblyer në shumë kompeticione, ai lartëson nevojën e përfaqësimit të Kosovës, në mënyrën më të mirë të mundshme. Tregon se ka pasur rastin që shtetin e Kosovës ta prezantojë edhe në Serbi me flamur e stemë.

Gubetini, ka rrëfimin e tij për karrierën mbi 20-vjeçare.

KALLXO.com e sjellë shkurtazi profilin e kampionit.

 

“Gara e fundit ka qenë në Allania që u mbajt në vikendin që shkoi, kanë marrë diku 10 shtete  evropiane, 50 pilot, më të mirët e Evropës secili duke përfaqësuar shtetin e tyre, ndër ta ishim edhe ne si Kosovë me 10 pilot edhe deshi Zoti që të dalë fitues. 3 pilotë morëm vendin e parë me nga 12 pikë, pastaj në podium dola i treti sepse është dashur ta bëjmë edhe një raund për podium, por si vend të parë kemi qenë 3 pilotë, unë, një slloven edhe një nga Maqedonia e Veriut”

Ai për KALLXO.com ka treguar se ky nuk është suksesi i tij i vetëm, porse janë të shumta garat ku ka arritur të fitoj çmime.

“Kam qenë edhe më herët në Turqi, kam qenë edhe nëpër vende të tjera, në Itali kam qenë i pari, kam qenë në top 7 garat në Evropë, përfshirë edhe atë në Slloveni. Përveç kësaj ne bëjmë edhe gara në kros në të cilat kam qenë i dyti në Gjirokastër, në kampionat kombëtar me Shqipërinë kam qenë i pari, në Kosovë për 17 vite kam qenë piloti më i mirë i federatës”.

Gubetini ka treguar se ka më shumë se dy dekada prej kur ka filluar karrierën si pilot i paragllajdit.

“Kam pasur gjithmonë dëshirë fluturimin, pa marrë parasysh se në çfarë lëmie, por në këtë drejtim me paragllajd, me këto lloj parashutash, për herë të parë i kam parë në Zvicër diku në vitet 1994-95, kur kam qenë atje, pastaj kam filluar kur jam kthyer nga Zvicra në vitin 2000 në klubin e Pejës, qysh nga atëherë kemi vazhduar me fluturime”.

Paragllajdisti Gubetini ka thënë se ky sport kërkon shumë sakrifica dhe është i kushtueshëm për praktikim.

“Ky sport është shumë i kushtueshëm dhe pa mbështetjen e ndonjë donatori është e vështirë që të realizohet, sepse vetëm rruga kushton shumë, pastaj pjesëmarrja, pastaj pajisjet. Ti nuk mund të shkosh në gara vetëm hajt, i pa ushtruar, duhet të bësh aktivitete për çdo ditë dhe për aktivitete duhet të shpenzosh, karburanti, makina, duhesh t’i lësh krejt dhe të merresh vetëm me sport”.

Duke qenë se ka më shumë se 21 vite që merret me këtë sport, ai ka këshilluar të rinjtë që të merren me sporte, pasi sipas tij kjo është mënyra më e mirë për ta përfaqësuar vendin.

“Sporti është ambasadori më i mirë i një vendi, pasqyra më e mirë e një vendi që munden të rinjtë dhe ne ta përfaqësojmë shtetin tonë. I bëj apel që të prezantohen në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse unë dhe kolegët tjerë, kemi qenë tri herë në Serbi, imagjino në Serbi ta përfaqësosh shtetin tënd me flamur tëndin, në një shtet që dihet që nuk na njeh së ekzistuari. Prandaj ne i thyejmë kufijtë të cilët politikanët tanë nuk mund as të ëndërrojnë”.