VIDEO - Pamje nga bunkeri ku fshiheshin barnat

Një hapësirë e fshehur me medikamente të kontrabanduara është zbuluar sot në një barnatore në Prishtinë, nga Dogana e Kosovës.

Sipas doganës, pas pranimit të informacionit lidhur me parregullsi potenciale përmes aplikacionit e-dogana, zyrtarët doganorë kanë organizuar një kontroll në një barnatore, ku kanë hasur në barna të kontrabanduara si dhe hapësirën e veçantë për fshehjen e tyre.

“Medikamentet janë sekuestruar dhe ndaj pronarit është iniciuar procedurat kundërvajtëse. Aplikacioni i lansuar nga dogana si dhe bashkëpunimi me qytetarët po jep rezultate çdo ditë, derisa dogana inkurajon qytetarët që të përcjellin informata pasi njësitet tona janë të gatshme për të verifikuar informatat.” – thuhet në njoftimin e doganës.

Aplikacioni “e-dogana” mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve e tregtisë në përgjithësi.

Një sekuestrim tjetër i barnave në vlerë rreth 5000 euro ka ndodhur edhe në Ferizaj 1 javë më parë.

Edhe në këtë rast, informacioni është marrë përmes aplikacionit.