Ilustrim - Foto: KALLXO.com

VIDEO - Pamje nga bllokimi i rrugëve ilegale në Jarinjë

Policia e Kosovës nga mëngjesi i ditës së sotme është duke e zhvilluar një aksion për bllokimin e rrugëve ilegale në veri të vendit.

Ky aksion është duke u zhvilluar me kërkesë të Doganës së Kosovës me qëllim të parandalimit të aktiviteteve kriminale dhe kontrabandës.

Ekipi i KALLXO.com sjellë pamje nga vendi i ngjarjes.

Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com

Gjatë ditës KALLXO.com ka raportuar lidhur me këtë aksionin.

Para pak minutave është raportuar se policë të shumtë janë parë në asistencë të një makinerie të rëndë dhe një bolduzeri i cili po bën bllokimin e disa prej këtyre rrugëve ilegale.

Në anën tjetër KALLXO.com raportoi sot edhe për bllokimin e rrugëve ilegale në fshatin Sharpell në Jarinjë.

Në këtë lokacion përveç zhavorrit të vendosur në rrugë është krijuar edhe një gropë e madhe e cila pamundëson qarkullimin dhe bën prerjen e rrugës.

Ekipi i KALLXO.com gjatë ditës ka vizituar këtë fshat i cili është në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë.

Përveç bllokimit, në rrugën në fjalë janë vendosur edhe forcat e Policisë së Kosovës, të cilët janë duke qëndruar atje.

Përpos bllokimit të rrugëve në Jarinjë, KALLXO.com ka mësuar se janë edhe dy rrugë të tjera ilegale që janë duke u bllokuar nga Policia në Leposaviq.

Rrugët ilegale janë duke u bllokuar pasi të njëjtat janë shfrytëzuar për kontrabandë e që përfshijnë zonat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë si dhe në zonën kufitare që lidhet me Maqedoninë e Veriut.

Edhe Policia ka dhënë detaje lidhur me këtë aksion.

Në një komunikatë për media Policia ka konfirmuar se aksioni ka se aksioni ka filluar në orët e hershme të mëngjesit.

Sipas kësaj komunikate operacion policor është realizuar në zonën kufitare të rajonit të Prishtinës (Podujevë), Mitrovicës Veriore (Leposaviq, Zubin Potok) si dhe në zonën kufitare që lidhet me Republikën e Maqedonisë së Veriut (Viti, Gjilan).

Në po të njëjtin njoftim është theksuar se, në këtë operacion policor ka përdorur të gjithë mekanizmat ligjor, autorizimet dhe kompetencat policore, pajisjet dhe njësitet e ndryshme policore për të zbatuar ligjet pozitive si dhe mbrojtjen e rendit Kushtetues.