Foto: Ilustrim

(VIDEO) Nuredin Lushtaku filmohet i prangosur

Nuredin Lushtaku është sjellë i prangosur në objektin e Gjykatës së Mitrovicës, e cila do të caktojë masës e sigurisë.

Përveç Lushtakut në pranga në objektin e Gjykatës janë sjellë edhe familjarët e tij, që dyshohet se janë përfshirë në incidentin e së shtunës mbrëma ku u plagosën dy zyrtarë policorë.

Sot Prokuroria e Mitrovicës ka kërkuar masën e paraburgimit për ish-nënkryetarin e Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtakun dhe dy familjarët e tjerë të tij.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi se si ndaj Lushtakut ishte marrë vendim për ndalim nga ana e prokurorit të rastit ndërsa i njëjti nuk ishte hasur nga organet e rendit dhe për pak kohë u shpall në kërkim.

Pas njoftimit, Nuredin Lushtaku ishte dorëzuar tek autoritetet e rendit ndërsa është marrë vendimi sërish për ndalim dhe ndaj të njëjtit po kërkohet edhe masa e paraburgimit.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme Nuredin Lushtaku ishte intervistuar dhe ishte liruar në procedurë të rregullt.

Vendimi për ndalimin e të njëjtit është bërë gjatë ditës së sotme pasi Prokuroria thotë se ka grumbulluar prova dhe materiale se i njëjti ka qenë i përfshirë në ngjarjen e 2 korrikut në të cilën mbetën të plagosur dy zyrtar policor.

Vetë Lushtaku e ka mohuar në një bisedë për KALLXO.com se u përdorën armët në incidentin me zyrtarët policorë.

Të ndaluar për 48 orë janë edhe dy familjarë të tjerë të Lushtakut, F.L., dhe A.L.

Këta të dy po dyshohen për sulm ndaj personit zyrtar, përdorim të armës dhe mbajtje në pronësi të armës pa leje.

Edhe për këta të dy Prokuroria ka kërkuar paraburgimin.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Mitrovicës, ekziston dyshimi i bazuar se “F.L., A.L. dhe N.L., me datë 2 korrik rreth orës 23:45 në Skenderaj kanë sulmuar dy zyrtarë policor të stacionit policor në Skenderaj që kanë qenë në detyrë zyrtare dhe gjatë sulmit ka rezultuar me lëndime të zyrtarëve policorë dhe njëri nga zyrtarët është goditur me predhë të armës në këmbë”.

Kërkohet paraburgimi për Nuredin Lushtakun dhe dy familjarët tij