VIDEO - Numri kujdestar i Inspektoratit të Punës, jofunksional

 

Numri zyrtar kujdestar në Inspektoratin e Punës tash e disa ditë nuk është duke funksionuar.

Qytetarët kanë raportuar në KALLXO.com se nuk po mund të raportojnë në Inspektoratin e Punës për parregullsitë që po U bëhen në vendet e tyre të punës.

KALLXO.com sot gjatë tërë ditës ka provuar që ta kontaktojë numrin kujdestar të Inspektoratit të Punës i cili është i publikuar në web-faqen zyrtare.

Në ora 11:12, ka qenë thirrja e parë, mirëpo në numrin kujdestar por numri ka qenë jashtë funksionit.

Edhe në orën 13:50, KALLXO.com ka provuar që ta kontaktojë numrin kujdestar, mirëpo ashtu si në herën e parë ky numër ka qenë jashtë funksionit.

Në ora 15:02 KALLXO.com për të tretën herë ka provuar që të kontaktojë numrin kujdestar, mirëpo kontakti prapë ka qenë i pamundur.

Për të marrë informacione, se pse nuk funksionon ky numër, KALLXO.com ka kontaktuar Valon Lecin, Ushtrues Detyre i Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.

Në një përgjigje, Leci ka thënë që janë në dijeni për problemin, dhe janë duke punuar për rregullimin e tij.

“Numri që është pa pagesë në Inspektoratin e Punës aktualisht nuk është në funksion për arsye që ky numër është dhënë për një afat një vjeçare dhe tani jemi në procedurën e ripërtërirjes së tij dhe shumë shpejt do të jetë në funksion”, tha ai.

Leci tutje tha që mosfunksionim i këtij numri nuk ndikon tek qytetarët pasi që ata kanë rrugë të tjera për të raportuar shkeljet.

“Mirëpo asgjë nuk na pengon kjo në marrjen e informatave të ndryshme edhe të ankesave të palëve sepse ne i kemi edhe numrat zyrtarë të cilët janë të publikuara në ëebfaqen e Inspektoratit, për më tepër kemi edhe emailat zyrtarë dhe të gjitha palët gjithashtu pa pagesë mund të na njoftojnë edhe mund të bëjnë “, tha ai