Nënshkrimi i aplikimit për BE

VIDEO - Nënshkruhet aplikimi për anëtarësim në BE

Është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Nënshkrimi i aplikimit është bërë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe nga kryeministri, Albin Kurti.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se ky është moment historik duke shtuar se është proces afatgjatë, por që sipas saj “janë të vendosur për të ia dal me sukses”.

“Ky është një moment historik, 14 dhjetori ka një rëndësi te dyfishtë në historinë e Republikës sonë, po shënojmë themelimin e ushtrisë dhe aplikimin. Po marrin një hap vendimtar drejt ambicies sonë të patjetërsueshme. Për Kosovën dhe qytetarët e saj nuk ka pasur asnjëherë ndonjë alternative tjetër, por ëndrrat bëhen realitet vetëm kur punohen. Ky moment i dedikohet çdo fëmije, burri e gruaje të cilës u sakrifikuan për liri e pavarësi” – deklaroi presidentja Osmani .

Osmani shtoi se Kosova do ta bëj pjesën e saj, derisa pret që BE të lëviz sa më shpejtë drejt vendimit historik.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se Kosova meriton që të bëhet vend kandidat dhe ta fillojë rrugëtimin drejt hapjes së negociatave.

“Është ditë e rëndësishme për Republikën tonë, më lejoni që ta përmend njërin prej vizionarëve, Zhan Monen, i cili ka thënë që nuk ka të ardhme për ne njerëzit e Evropës, përveç bashkimit tonë. Sot e nënshkruam kërkesën zyrtarë që do ta nis procesin e anëtarësimit në BE. Ky është hapi i parë në rrugën e anëtarësimit një rrugë e cila ishte e gjatë dhe aspak e lehtë. Ne meritojmë të bëhemi vend kandidat dhe ta fillojmë rrugëtimin tonë drejtë hapjes së negociatave, një fazë që synojmë ta arrijmë sa më shpejtë që është e mundur” – theksoi Konjufca.

Ndërkaq, kryeministri i vendit, Albin Kurti u shpreh se progresi varet nga përkushtimi për reforma dhe se sipas tij angazhimi është i nevojshëm e përkushtimi i domosdoshëm.

“Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella, shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne, andaj angazhimi është i nevojshëm, e përkushtimi i domosdoshëm. Së bashku në këto 2 vite kemi dëshmuar që kur shpresojmë dhe besojmë çdo gjë është e mundur dhe nuk ka pengesë që nuk mund të kalojmë” – tha Kurti.

Gjatë javës së kaluar, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi qëndroi për një vizitë 3 ditore në Bruksel, me ç’rast tema kryesore ishte anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian.