VIDEO: Në kohë pandemie, Komuna e Prishtinës i bart 200 nxënës të Vranidollit me vetëm një autobus

Renovimi i Shkollës “Nëna Terezë” në Vranidoll ka bërë që nxënësit e kësaj shkolle nga sot të zhvillojnë mësim në shkollën e fshatit Teneshdoll.

Por, problem për prindërit është mënyra e bartjes së fëmijëve nga fshati në fshat.

Ata shprehin shqetësim se një autobus është i pamjaftueshëm për bartjen e 200 nxënësve në kohë pandemie.

“Ne si prind jemi të shqetësuar për arsye se me një autobus mbi 100 nxënës, rreth 130 nxënës është pak shqetësuese. Me qenë një ditë dy thotë njeriu, po është kohë më e gjatë dhe komuna duhet me marrë masa për këtë punë dhe drejtori e ka ditë sa nxënës i ka nëse se ka ditë komuna”, thotë Muharrem Kelani, prind nga fshati Vranidoll.

Edhe drejtori i Shkollës “Nëna Terezë”, Milaim Islami, në Vranidoll, e pranon se sot bartja e nxënësve në shkollën e fshatit Teneshdoll ka qenë problem.

“Transporti është siguruar megjithëse jo shumë të kënaqur me transportin as nxënësit e as prindërit, por aq ka pasur mundësi komuna dhe ka siguruar një nisje…”, tha ai.

Ai shtoi se e ka adresuar në Komunë problemin dhe që nga nesër pritet të sigurohet transport shtesë për 200 nxënësit e fshatit Vranidoll.

“Kam bërë kërkesë për zgjidhjen e kësaj çështje sepse ka nxënës që mbesin në këmbë dhe ndoshta për sigurinë e tyre mund të jetë e rrezikshme kjo. Por, dhe linja s’është aq e gjatë megjithatë, por i kemi kry procedurat tona për të siguruar transport të rehatshëm për nxënësit”, tha ai.

“Pas bisedave me drejtoreshën e Arsimit kemi premtime se prej nesër DKA do të sigurojë transport shtesë, që do të jetë i rehatshëm dhe i sigurt për nxënësit”, shtoi Islami.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, por se ajo nuk ka pranuar të flas në lidhje me këtë çështje.