VIDEO: Ndryshe nga presidenti Thaçi, kryeministri Kurti pritet me duartrokitje në Qendrën e Studentëve

Me brohorima dhe duartrokitje është pritur kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nga qytetarët që gjenden në konviktet e Qendrës së Studentëve, e shndërruar në karantinë për personat e ardhur nga jashtë vendit.

Kurti, i shoqëruar nga ministrat Hykmete Bajrami, Arben Vitia e Lumir Abdixhiku ka vizituar sot pasdite stafin e karantinës në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Sipas një video të publikuar nga një zyrtar i LVV-së, shihet se Kurti teksa po largohej është kthyer përsëri për t’i përshëndetur të karantinuarit që kishin dalë në dritare dhe në ballkonet e konvikteve.

Aty dëgjohen duke thirrur emrin e tij dhe duke e quajtur “kryeministër”.

Ndryshe nga Kurti, qytetarët në karantinë nuk e pritën mirë presidentin Thaçi.

Katër ditë më parë, Thaçi kishte vizituar në Qendrën e Studentëve, por që nga aty u dëgjuan persona të ndryshëm duke kritikuar presidentin.

Qytetarët u dëgjuan duke i thënë “e shitët Kosovën”,  “marre ju koftë” e ‘tradhëtar’.

Personat e izoluar me zë të lartë kanë thënë se duhet që krerët e institucioneve të Kosovës  të dalin para drejtësisë.