VIDEO - Ndërtimi i Kompleksit Sportiv dhe Stadiumit në Rahovec, debat mes opozitës dhe pushtetit
Sonte në #DebatPërnime është duke u transmetuar debati me Kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifi dhe asamblenë e kësaj komune.
Njëri nga premtimet e Latifit në vitin 2021 ishte ndërtimi i kompleksit sportiv te Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Projekt ky që ende nuk ka përfunduar në tërësi. Kryetari i Rahovecit thotë se mos përfundimi i kompleksit ka ndodhur për shkak disa punëve shtesë në projekt që lidhen me terrenin shkëmbor ku po ndërtohet Kompleksi.
“Ju më 24.09.2024 e kishit bërë xhirimin ndërkohë që janë duke u bërë punët përfundimtare. Kanë dalur disa punë që nuk i kemi parashiku për shkak të terrenit shkëmbor është dashur të bëhet minimi po besoj që kompleksi sportiv shumë shpejt do të përfundohet. Ka dhe pagesa shtesë sepse është bërë minimi, diku rreth 4 mijë kilogram eksploziv janë përdorur” – tha ai.
Por asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dëfrim Kafexhiu tha se kryetari Latifi kishte premtuar disa data se kur do të përfundonte ndërtimi i Kompleksit Sportiv, premtim ky i parealizuar.
“Ky projekt ka qenë i premtuar për në shtator të vitit 2023 më pas kanë qenë edhe tri data të tjera që është premtu. Data tjetër që ka mundësi për me u përfundu në afat, ka qenë prilli i vitit 2024 edhe kjo nuk ka ndodh. Në maj të këtij viti ka fillu rrënimi i stadiumit që ka qenë premtim, pa u përfundu kompleksi sportiv nuk rrënohet stadium i qytetit për shkak që KF Rahoveci tash po i zhvillon ndeshjet në Malishevë”- tha Kafexhiu.
“Rrënimi i stadiumit ka të bëjë me nevojat e ndërtimit të sheshit qëndror është paraparë ndërtimi i sheshit qëndror”- iu kundërpërgjigj Latifi në #DebatPërnime.
Një temë tjetër u ngrit gjatë debatit nga asamblisti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Hasan Përboqi i cili akuzoi Vetëvendosjen se kanë larguar nga projektbuxheti kodin për ndërtimin e Stadiumit të qytetit.
“Lëvizja Vetëvendosje shumë mirë që po interesohet për komplesin sportive. Vetëvendosja do të ishte mirë që në qender të mos e largonte nga projektbuxheti projektin e stadiumit qendror mos me e lënë këtë qytet pa stadium qendror. Është larguar projekti i ndërtimit të stadiumit qendror të Rahovecit, kodi për këtë është larguar nga Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sportit. Nëse nuk gaboj prej vitit të kaluar nuk figuron ky kod”- tha Përboqi.
Me deklaratën e Përboqit nuk u pajtua asamblisti i pavarur, Ilir Pallqa i cili tha se projekti për ndërtimin e stadiumit është në fazën e projektimit ndërsa 150 mijë euro janë nda nga ministria.
“Stadiumi është në fazën e projektimit, nuk është heq. Është në fazën e projektimit tash janë procedurat e riprojektimit për shkak që nuk i ka përmbush kushtet. 150 mijë euro janë nda në kodin për projektimin e stadiumit prej Ministrisë”- tha Pallqa.
“Ne kemi pas në kode nga qeveria Hoti e tutje, Stadiumin në Rahovec; Palestrën e Sporteve në Krushë të Madhe, Stadiumin në Krushë të Madhe dhe Stadiumin në Ratkoc, katër projekteve vec bashkë më të edhe Stadiumi i Qyteti. Cka ka ndodh, ka ndodh një procedurë tjetër që kemi gjet një lokacion tjetër tash në pronat që i ka shfrytëzim ‘Stone Castle’ të cilat kanë hy në planin zhvillimor komunal, mirë e ka asmablisti Pallqa që tash është në fazën e riprojektimit, por katër vite i kemi humb”- tha kryetari, Smajl Latifi.
Edhe asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dëfrim Kafexhiu tha se paratë për projektin janë nda por vetëm ka ndryshuar forma.
Kafexhiu theksoi se kodi të cilin e përmendi kryetari Latifi është që nga viti 2016 dhe se janë ndërruar edhe dy ministra jo të Lëvizjes Vetëvendosje dhe se projekti nuk ka përfunduar.
“Kodi i stadiumit është e vërtëtë që u heq në vitin 2022 por kjo nuk i ka pamundësu për shkak që ministria i ka nda mjetet për projektim të stadiumit vetëm forma ka ndryshu. Kodi për të cilin po fol kryetari i komunës që është vendos është prej vitit 2016, prej këtij viti janë ndërru dy ministra të tjerë përvec Vetëvendosjes edhe nuk është kry deri më 2022. Ndërsa tash me ndryshimin e lokacionit Qeveria është e gatshme që me i nda mjetet, projektimi është duke u kryer edhe ka me u finalizu”- tha Kafexhiu.