(VIDEO) Kujtimet e natës së tmerrshme kur Rusët hynë në Prishtinë

Nata më e rëndë gjatë gjithë luftës në Kosovë për qytetarët e Prishtinës, ishte ajo e 11 qershorit 1999.

Dy ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, më 11 qershor pritej hyrja e forcave të Paktit Veriatlantik – NATO-s.

Por, në vend të NATO-s tinëzisht, një autokolonë e ushtrisë ruse e stacionuar në Bosnje në orët e vona të 11 qershorit ’99 arriti në Prishtinë.

Gjatë, afërsisht dy orëve sa ushtarët rusë qëndruan në Prishtinë, serbët lokal, paramilitarë, policë e ushtarë nuk lanë gjë pa bërë.

Mustafë Halili, banor i Prishtinë e kishte parë e përjetuar nga afër tërë ‘çmendinë’ serbe që shpërtheu atë natë me hyrjen e rusëve.

Ai ka tregon se rusët arritën në Prishtinë rreth orës 23:20, ndërsa u larguan rreth orës 2 të 12 qershorit.

“Kanë ardhur nja 200 ushtarë më do kamionë dhe me nja 5-6 autoblinda. Kanë ardhur nga Merdare, kanë kaluar nga Kuvendi i Kosovë edhe janë ndalë këtu, para Hotel Grandit. Kjo pamje që po e shohim tash ka qenë krejt ndryshme, ka qenë një rrugë e ngushtë, edhe këtu ishin mbledhur serbë, në të dy anët, kishte duartrokitje, orgji, bërtima, krrokatje, krisma e krisma sa që të drejtën me than u frikova dhe u ktheva, frikoheshin edhe ushtarët rusë, se çfarë po ndodhë, i gjuanin me raki, hipnin në ato autoblindat, i puthnin, i përqafonin, u puthin pushkët, thërrisnin: ‘kurrkush s’ ka çka ana bën se ne e kemi nënën Rusi’”, rrëfen Halili për KALLXO.com.

Halili tregon se ashtu të dalldisur serbët, natën e 11 dhe mëngjesin e 12 qershorit sulmuan dhe vranë shqiptarët në Prishtinë.

E nga të shtëna e pakontrolluara të serbëve një plumb kishte thyer xhamat e apartamenti të tij, prapa Teatrit Kombëtar.

“Ka ndodhë në ‘Aktash’ (Kodër të Diellit) paramilitarët serb e kanë vra Nazmi Gojanin në shtëpi të vet”, ka thënë ai.

E gjatë dhe e rëndë, nata e 11 qershorit ishte edhe për familjet shqiptare që kishin mbetur në Lagjen “Dardania”.

Bekim Matoshi, banor i Prishtinës, tregon se atë natë serbët e paramilitarët shfryen tërë mllefin e tyre ndajë shqiptarëve.

“Ishte një natë që nuk harrohet lehtë, por dëshirojë që të mos përsëritet asnjë herë. Fillimisht kur morëm vesh se po hyjnë trupat ruse në Kosovë ne u dëshpëruam, sepse ne prisnim që të hyjnë trupa e NATO-s dhe të përfundonte lufta, por çuditërisht hynë trupat ruse, të cilat na dhanë një emocion shumë zhgënjyes për luftën dhe në përgjithësi për neve që e prisnim lirin me padurim”, ka thënë ai.

Matoshi rrëfen se deri në orët e mëngjesit të 12 qershori ishin dëgjuar baritma dhe krismat e pakontrolluar të serbëve.

“Dëgjuar kemi, konkretisht në ‘Dardani’ ku kam jetuar unë nuk kam mundur me ditë saktësisht çka ka ndodhur, sepse gjendja ishte qe nuk mund të dilnin, por kemi marrë vesh që atë natë serbë lokal dhe ushtarakët e kanë shfryrë krejt mllefin e tyre”, ka thënë Matoshi.

Në orët e para të 12 qershori trupat ruse u larguan drejtë Aeroportit në Sllatinë, duke e lënë pas një natë tmerir në kryeqytetin kosovar.