VIDEO - Musliu-Shoshi, ministres Gërvalla: Të gjitha njohjet i kemi falë SHBA-së dhe partnerëve tjerë

Sipas deputetes së PDK-së, Ariana Musliu – Shoshi ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla e ka gabim nëse mendon se Republikën e Kosovës, e kanë njohur shtetet sepse ka pasë të dejtë të shpallë pavarësinë.

Kështu ka deklaruar ajo sot gjatë seancës së Kuvendit, duke shtuar se “të gjitha njohjet e Kosovës kanë ardhë falë SHBA-së.”

“Nëse mendon që Republikën e Kosovës, e kanë njoftë shtetet sepse ka pasë të dejtë të shpallë pavarësinë, e ke shumë gabim. Të gjitha njohjet i kemi falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës me miqtë tanë ndërkombëtar tjerë”- ka thënë Musliu -Shoshi.

Ajo ka thënë se sot asnjë nga shtetet e rajonit, të Bashkimit Evropian e as SHBA-të, nuk qëndrojnë pas Kosovës.

“Merru me punët e tua se nuk je kurrkund hiç, e le, mos u mundo me mbrojt kryeministrin”- ka thënë deputetja e PDK-së ministres Gërvalla.

E lidhur me këtë çështje, ministrja Gërvalla e pati një kundërpërgjigje.

“Deputetja e PDK-së na tregoi qartë se si kanë ndodhur njohjet e deritanishme, pra e konfirmoi atë se PDK-ja s’ja ka sjellë asnjë njohje Republikës së Kosovës. Krejt i kanë sjellë partnerët, lere se latë nam”- ka thënë ministrja e Punëve të Jashtme.

Në 15 vjet shtetësi, Republika e Kosovës është njohur nga 117 shtete të botës, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Shteti i fundit në listë që ka njohur pavarësinë e vendit është Izraeli, më 1 shkurt të vitit 2021. Njohja nga ky vend erdhi nga marrëveshja e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020.