VIDEO - Monitoruesja e BIRN jep detajet për zvarritjen e lëndës së ish-shefit të personelit në Komunën e Pejës

Në emisionin e sotëm “Drejtësia në Kosovë” është trajtuar vjetërsimi i disa çështjeve penale qe gjenden në procese gjyqësore në Gjykatat e Kosovës.

Një prej këtyre rasteve është edhe lënda kundër  Shefit të Zyrës se Personelit në Drejtorinë për Administratë Komunale të Komunës së Pejës, Muhamet Kelmendi, lënda e të cilit me 28 prill të këtij viti vjen deri parashkrimi absolut i veprës penale që i vihet në barrë – cenimi i të drejtave në marrëdhënien e punës nga neni 221 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Monitoruesja e BIRN-it, Vyrtyte Gërvalla që ka ardhur deri të identifikimi i parashkrimit të kësaj lëndë, në emisionin e sotëm tregoi detaje për këtë proces gjyqësor.

Ajo tha se lënda për të cilën akuzohet shefi i personelit i është dorëzuar Gjykatës së Pejës me 30 shtator të vitit 2016 e prej asaj datë gjykata e Pejës nuk ka mbajtur asnjë seance të vetme gjyqësorë lidhur me këtë rast.

E pyetur lidhur me përgjegjësinë eventuale të gjyqtareve për parashkrimin e lëndës, Gërvalla tha se është KGJK që i ka mekanizmat e vet që duhet vënë në shprehje, e nëse zvarritja dyshohet qe ka qenë e qëllimshme atëherë është prokuroria ajo qe duhet veproj sipas autorizimeve qe i takojnë me ligj.

Muhamet Kelmendi akuzohet nga Prokuroria e Pejës se me 28 prill të vitit 2016 me vetëdije nuk e ka zbatuar ligjin mbi marrëdhënien e punës, dhe të dëmtuarit Hysni Selmanaj, ia ndërprenë marrëdhënien e punës si Drejtor i Auditimit të brendshëm.

Fillimisht të dëmtuarit i ishte shqiptuar masa disiplinore, pezullimi për tre muaj, e më pas ndaj të njëjtit me aktvendim pezullohet menjëherë nga marrëdhënia e punës me 50% të pagës se tij.

Edhe Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri akuzohej se si person përgjegjës në cilësinë e kryetarit të komunës, refuzoi të zbatojë vendimin e plotfuqishëm të Gjykatës se Apelit, i cili vendim e obligonte atë që ta kthejë në vendin e punës Hysni Selmanajn, ish-drejtor i Auditimit të Brendshëm në komunën e Pejës.

Gjykata e Pejës e kishte hedhur poshtë akuzën ndaj Muhaxherit, e pastaj këtë vendim e vërtetoi Gjykata e Apelit.