Foto: Policia e Kosovës

VIDEO - Momenti kur policia arreston disa persona në aksionin kundër fajdesë e bixhozit të paligjshëm

Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka kryer një aksion kundër fajdesë, më 19.09.2024 në Prishtinë.

Policia ka arrestuar katër persona të dyshuar për “fajde” dhe “organizim të skemave piramidale ose bixhozit të paligjshëm”.

“Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, në vazhdën e luftimit të dukurisë së fajdesë, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, sot, me datën 19 shtator 2024, ka realizuar operacion policor, me ç’rast ka zbatuar urdhërkontroll në 3 lokacione në Prishtinë ndaj katër personave të dyshuar për veprat penale ‘fajde’ nga neni 331 i KPRK-së dhe ‘organizimi i skemave piramidale ose bixhozit të paligjshëm’ nga neni 294 i KPRK-së” – thuhet në komunikatën e përbahskët të dy institucioneve.

Sipas komunikatës, të dyshuarit kanë përdorur dforma të ndryshme të kanosjes për të detyruar në vazhdimësi vitkimën që të veprojë kundër pasurisë së tij, duke përfituar në formë të kundërligjshme shuma të ndryshme të parave si interes nga fajdeja.

Ata po ashtu dyshohen se kanë ushtruar edhe veprimtarinë e bixhozit të kundërligjshëm.

Gjatë aksioni janë sekuestruar edhe dëshmi të ndryshme si shuma të konsiderueshme të parave kesh, 5 automjete, telefona celularë e pajisje të ndryshme elektronike.

Të dyshuarit A. A., S. A., E. G. dhe A. G., pas intervistimit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.