VIDEO: Momentet kur gjenden punëtorë pa kontrata në Lipjan

Administrata Tatimore e Kosovës është duke vazhduar me aksionet për luftimin e infomalitetit në punë.

Cak i tyre janë një numër i madh i bizneseve të cilat sistemi i ATK-së i ka paraqitur si të dyshimta për nga numri i punëtoreve të regjistruar.

Për verifikimin e këtyre dyshimeve me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së, Ilir Murtezaj, janë angazhuar të gjitha drejtoritë e ATK-së.

Një urdhërese e tillë është zbatuar edhe në rajonin e Lipjanit dhe filmimet e këtij aksioni janë publikuar sonte në emisionin “Kallxo Përnime”.

Një numër i madh i kafiterive dhe lokaleve në këtë komunë kanë qenë cak i vizitave tatimore për verifikimin e punëtorëve.

Pothuajse secili biznes që u inspektua në këtë komunë pati punëtorë, me ç’rast me kërkesë të inspektorëve tatimorë të njëjtit u obliguan që t’i regjistrojnë brenda ditës.

“Punëtorët pa kontrata i regjistron menjëherë, kontratat e tyre i dërgon në ATK”, ishin fjalët më të shpeshta të inspektorëve tatimorë gjatë kontrollit në komunën e Lipjanit.

Mbrëmë në një tjetër emision në “Kallxo Pernime”, drejtori i ATK-së, tregoi për rëndësinë e regjistrimit të punëtorëve dhe benefitet e atyre që janë të regjistruar.

“Puna të cilën ata e kryejnë nuk u figuron askund, nuk u llogaritet përvoja e punës, nuk u paguhen detyrimet tatimore dhe as kontributet pensionale. Përpos këtyre punëtorët nuk kanë mundësi as të ndërmarrin hapat ligjorë për mbrojtjen e të drejtave të tyre në gjykatë”, kështu ka deklaruar në emisionin “Kallxo Përnime” drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj.

Sipas tij, punëtorët e regjistruar përfitojnë benefite të caktuara përderisa ata që nuk kanë kontratë pune dhe nuk deklarohen në institucione nuk mund të jenë përfitues të këtyre benefiteve.

KALLXO.com në bashkëpunim me qytetarët dhe ATK-në kanë arritur që buxhetit të shtetit t’ia shtojnë mbi 200 mijë euro.

Si rezultat i raportimeve të qytetarëve mbi 200 biznese janë zënë duke shkelur rregullat tatimore, mbi 50 punëtorë kanë marrë kontrata pune pasi ishte konstatuar se nuk ishin deklaruar nga punëdhënësi dhe shumë personave ka filluar t’u paguhen kontributet pensionale.