Ardian Hoxha. FOTO-KALLXO.com

VIDEO - Misteri i zhdukjes së Remzi Hoxhës, përmes rrëfimit të djalit të tij

Janë bërë 25 vjet nga rrëmbimi dhe zhdukja pa gjurmë e biznesmenit Remzi Hoxha dhe familjarët e kanë humbur durimin e shpresën se mund të mësojnë diçka për fatin e tij.

Në një intervistë për KALLXO.com, Ardian Hoxha, djali i Remziut ka rrëfyer kujtimet për babanë e tij, një biznesmen me origjinë nga Maqedonia e Veriut i cili, si shumë shqiptarë të tjerë jashtë kufijve, pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, kishin shkuar atje për të bërë biznes.

 

Ardian Hoxha tha se ai së bashku me nënën dhe fëmijët e tjerë kishin shkuar të jetojnë në Shqipëri për t’u bërë bashkë me babanë e tij.

Por historia e tyre ndryshoi për të keq pa kaluar as dy muaj nga shpërngulja në Tiranë për ta vazhduar jetën dhe shkollimin.

Kur u rrëmbye babai i tij, Ardian Hoxha ishte 14 vjeç dhe fëmija më i madh i familjes kurse, më e vogla ishte motra e tij 6 vjeçe.

“Kemi qenë larg babës, na mori edhe neve fëmijëve me nënën që të shpërnguleshim në Tiranë për me jetu atje me vazhdu jetën atje, me u shkollu atje dhe pak ditë pasi filloi mësimi as një muaj e gjysmë ndodhi kjo më e keqja që ne si fëmijë as që e kishim menduar se mund të ndodhte një gjë e tillë”, thotë Hoxha.

Hoxha tregoi se babai i tij në atë kohë ishte 39 vjeçar ndërsa nëna e tij 33 vjeçare.

‘Ato ditë u tha se e kishte marrë policia, e kishte marrë ushtria, ishte shumë kaotike situata. Nana i lajmëroi axhallarët dhe menjëherë erdhën në Tiranë dhe filluan menjëherë me kërku nëpër institucione të ndryshme por nuk gjendej askund”, tha ai.

Hoxha tha se si fëmijë nuk i linin të futeshin në dhomë për t’i dëgjuar bisedat por ai tha se e kuptuan që diçka nuk është në rregull.

“Na thonë se është marrë për verifikim personi dhe se do të mbahet 24 ose 48 orë. Por meqenëse ishte e shtunë ne menduam se ndoshta nuk e llogaritin vikendin dhe se nga e hëna fillojnë me i numëru orët. Kaloi ai afat, kaloi një javë, një muaj, një vit dhe nuk gjendej askund”, tha ai.

E lajmin e hidhur se Remzi Hoxha nuk është gjallë, ua kishte dhënë Adem Demaçi.

“Deri në vitin 1997 ishte Sali Berisha në pushtet dhe ne si familje kemi qenë familje e njohur në Kosovë dhe Maqedoni, dhe familje që kishim mjaft miq e dashamirë. Si familje kemi shku me kërku ndihmë nga Adem Demaçi, nga Ibrahim Rugova, figurat më të rëndësishme të Kosovës që kishin edhe kontakte shumë të afërta me Sali Berishën dhe të gjithëve u thoshin që mos u merrni me këtë punë është çështje e shtetit nuk është çështje për juve dhe vjen i ndjeri Adem Demaçi dhe i thotë nanës duhet të mësoheni të jetoni pa të”, tha Hoxha duke treguar se Demaçit iu është komunikuar nga Sali Berisha direkt se nuk është më i gjallë.

Por Sali Berisha, në një intervistë të dhënë më 22 tetor në televizionin “Syri” në Tiranë, ka thënë të mos e ketë njohur Remzi Hoxhën dhe se për të kishte mësuar nga takimi që kishte pasur me Demaçin.

“Nuk ka patur, nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë një njeri që do të mund të faktojë qoftë edhe me gjënë më të vogël se Sali Berisha, President Republike, ka patur një informacion, një të dhënë, një informatë nga cilido institucion i Shqipërisë dhe ka ditur se ekziston Remzi Hoxha mbi dhé. Prandaj dhe shpreh shpreh keqardhje pa diskutim, shpreh keqardhje për personin, shpreh keqardhje për mënyrën se si përpiqen ta përdorin për qëllime politike”, ka thënë ish-Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë.

Pse është vrarë Remzi Hoxha?

Ardian Hoxha, gjatë intervistës për KALLXO.com, tregon ngjarjen se si gjatë maltretimit është vrarë babai i tij edhe pse qëllimi, sipas tij, nuk ishte vrasja.

“Është pa që nuk e kanë pasë qëllim që ta vrasin, kanë pasur tjera qëllime por që nga torturat që ia kanë bërë iu ka mbetur në dorë dhe nuk kanë ditë çka me bo e kanë mohu faktin që e kanë marrë e kanë fshehur trupin dhe kjo është ajo pjesa që neve sado që ishte dhimbje e madhe na ka zmadhuar për shumëfish sepse thoshim së paku trupin na jepni”, shtoi ai.

Remzi Hoxha, sipas djalit të tij, ka qenë një nga aktivistët për çështjen e Kosovës dhe në kohën kur u shpërngulën nga Kosova pasi përndiqej nga regjimi serb ai shkoi në Shqipëri dhe prej atë herë i kishte angazhimet e tij.

Hoxha, tha se babai i tij kishte informacione për një takim të Sali Berishës me Presidentin e atëhershëm të federatës jugosllave, Sllobodan Millosheviq, dhe Presidentin e Maqedonisë Kiro Gligorov në kohën kur Kosova po bëhej gati për luftën me Serbinë.

Basri Zuka sipas Ardian Hoxhës, që ishte sekretar i shoqatës për ekonomi të vogël dhe zejtari në të cilën kryetar ishte Remzi Hoxha, e kishte pyetur Ibrahim Rugovën se a ka dijeni për takimin Berisha – Milosheviq.

“Dhe i shkruan letër Rugovës për ta pyet a është në dijeni dhe Rugova normal s’ka pasë dijeni dhe e pyet Berishën. Ai (Rugova) nuk i ka thënë se prej kujt i ka ardhur informata por i thonë prej Remzi Hoxhës, sepse ai ka qenë kryetar. Sali Berisha e merr me mend se këta paskan qenë duke i përcjell, e këta vetëm rastësisht kanë qenë aty”, thotë Hoxha duke treguar se babai i tij ka parë rastësisht konvojin e presidentit Berisha, pasi po atë ditë kishte takim me shoqatat e zejtarëve në Shqipëri edhe me ato të jugut edhe të veriut.

Hoxha e tregon edhe një element tjetër dyshues.

“Elementi i dytë ka qenë se babai im sa ka qenë në Shqipëri e ka hapë edhe një kompani me duralumin dhe me një projekt që e kishin të madh në Shkodër shkon me menaxhmentin e tij për me i pa punimet se si po shkojnë. Pasi i përfundojnë punimet shkojnë për drekë me një restorant dhe aty e sheh Bashkim Gazideda, drejtori i SHIK-ut me Arkanin duke hangër drekë”, thotë ai.

Për këtë takim, sipas Ardian Hoxhës, babai i tij gjatë një takimi në Tiranë e ka pyetur Pjetër Arbnorin që atë kohë ishte kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

“I tregon se i ka rastisur dhe e pyet se çfarë është duke ndodh pasi ne jemi duke u përgatitur për luftë. Ai normal nuk e ka ditë dhe e pyet Berishën për këtë takim dhe Berishës i bëhen dy raste ku babai im ka informacion, dhe Berisha mendon që babai im ka ndonjë fotografi apo incizim të këtyre rasteve dhe duke u friku se do të bëhen publike ata e inskenojnë rrëmbimin e babës tim dhe mundohen me ja marrë këto dëshmi që realisht nuk ka pas se nuk ka shku me atë qëllim”, tregon Hoxha.

Hoxha thotë se babai i tij ka vdekur nga torturat e mëdha që ka pësuar.

“Ja shtojnë dhunën, torturën dhe prej torturave shumë të mëdha në bazë të rrëfimeve të njerëzve që kanë qenë aty, roja e kështu me radhë në baza sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës thuhet se prej torturave të mëdha ka vdekur. Dhe kjo është si ka rrjedh”, shtoi ai.

Djali i madh i Remzi Hoxhës tha se nuk kanë lënë derë e institucion që nuk kanë trokitur në Shqipëri. Ai tha se kanë kërkuar të takohen edhe me Sali Berishën por ai nuk i ka pranuar asnjëherë.

Ndërsa takime sipas tij kanë zhvilluar me Fatos Nanon, me Edi Ramën të cilët sipas tij u kanë premtuar se do të angazhohen sapo të vijnë në pushtet, dhe për fat të keq Hoxha thotë se ata e kanë përdorur vetëm politikisht për vete dhe nuk i kanë ndihmuar aspak.

“Na ka ndihmu Avokati i Popullit Ermir Dobjani në Shqipëri, na ka ndihmu i ndjeri Xhevat Hana prokurori që 6 vite është marrë me rastin dhe një muaj para se ta shpall vendimin gjykata atë e vrasin në Shqipëri dhe e sjellin një prokurore e cila ishte bashkëpunëtore e Sali Berishës e cila e minimizon dënimin për personat e implikuar, na kanë ndihmuar edhe njerëz të mediave kryesisht, gazetarë që e kanë mbajtë presionin publik dhe nuk ka vdekur asnjëherë si rast”, tha ai duke e përmendur edhe avokatin Tomë Gashi i cili e ka rihapur rastin.

Ai tha se pas 17 viteve përpjekje, Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri, ka vendosur që personat që e rrëmbyen, ishin 9 persona të SHIK Bashkim Gazidede nën urdhërat e Sali Berishës.

“Pas 17 viteve gjykata edhe në kohën e Sali Berishës e vendosi që këta janë personat që ishin përgjegjës edhe pse me prokuroren që e kishin të tyren 3 nga personat e implikuar ju hoq dënimi dhe ia vunë komplet barrën vetëm një personi. Këta ishin 9 persona, 5 prej tyre ishin kyç ia vunë barrën vetëm Ilir Kumbaros i cili është në arrati dhe për fat të keq asnjëri prej këtyre që ishin të implikuar nuk e vuan dënimin dhe si rrjedhojë as nuk tregojnë se ku janë eshtrat”, shtoi Hoxha.

Por Ssali Berisha, në intervistën e tij për televizionin “Syri” thotë se pas takimit me demaçin ka kërkuar nga institucionet relevante në Shqipëri të informohet për këtë rast.

“E kam thënë se dhimbja e familjarëve është e ligjshme por përdorimi i familjarëve në kohëra elektorale ka qenë një rregull që nuk i ka nderu, mendoj unë. Sali Berisha ka dëgjuar për herë të parë emrin e Remzi Hoxhës nga miku i tij i atëhershëm Adem Demaçi. Adem Demaçi më ka ardhë në zyrë dhe më ka thënë… mund të ketë qenë viti 1995-96… më ka thënë ka disa muaj që nuk gjendet. I kam thënë që nuk kam dëgjuar kurrë. Nëse nuk gaboj, Demaçi më ka thënë që është ish i burgosur politik. Ka qenë apo s’ka qenë s’mund të them gjë. I kam thënë atëherë se do të merrem në mënyrën më serioze, nuk e kam dëgju kurrë, s’kam asnjë informacion dhe s’kam patur. Dhe cilido që mund të thotë se kam patur informacionin më të vogël, le të dalë. Zero. Kam thirrë përgjegjësit e agjencive dhe u kam kërkuar të bëjnë hetimin më serioz për nxjerrjen e të vërtetës për këtë person. Është thënë më vonë nga mediat, agjencitë më kanë thënë se nuk gjejmë dot asnjë gjurmë. Ky ka qenë informacioni që kam marrë. Nga mediat është thënë më vonë se ky ishte i implikuar në atentatin e Gligorovit dhe unë ç’është e vërteta mendova se agjencitë e huaja mund të kenë ndërhyrë në eliminimin e tij dhe kjo ishte shumë shqetësuese. Hoqën dorë nga ky (skenar) dhe thanë se ky paska qenë i implikuar në një atentat ndaj meje. Kurrën e kurrës. As s’më ka thënë njeri, as s’kam dëgjuar. Është e tëra shpifje e trillime”, ka thënë Berisha.

Familja Hoxha në përgatitje të dokumentarit për Remzi Hoxhën

Ardian Hoxha tregoi se kanë dhimbje shumë të mëdha në këto 25 vite përpjekje për ta zbuluar fatin e babait.

Ajo çka Ardiani tha se po e kërkojnë janë eshtrat.

Ne asnjëherë nuk jemi frikësu, kemi pasë takime të ndryshme  e lloj lloj njerëz. Kemi pasë takime edhe me matrapazë të ndryshëm që kanë kërku para për me na dhënë eshtrat edhe kemi dhënë pare dhe na kanë dhënë eshtra të qenit. Lloj lloj malltretime e përjetime. Si rrjedhojë e krejt kësaj i kemi humbë shpresat”, shprehet Hoxha.

Ai tha se mos kthimi i eshtrave është një turp i Shqipërisë, pasi këtë e bën vetëm Serbia e cila qe 20 vite nuk po i kthen mbi 1 mijë e 600 trupa të shqiptarëve që konsiderohen të zhdukur nga lufta e viteve 1998-99.

Hoxha tha se vitin tjetër planifikojnë ta bëjnë një varr të hapur për babanë e tij dhe se janë në përgatitje të një dokumentari i cili shpalos veprimtarinë e Remzi Hoxhës.

“Ka disa vite që e kam mendu dhe janë edhe në shumë vende të botës raste ku ka varre të hapura dhe që priten eshtat që të vijnë një ditë. Babai im ka qenë një njeri që ka shumë shumë vepra dhe si familje asnjëherë nuk kemi pas mundësi t’i shpalosim veprat e tij duke e pasë fokusin gjithmonë në gjetjen e eshtrave, gjetjen e një të vërtete. Me qenë se i kemi shterrë gjitha mundësitë dhe u bënë 25 vite që nuk po e gjejmë të vërtetën, ne do e bëjmë një varr, një memorial që të paktën të kemi një vend ku mund të shkojmë ta vizitojmë. Në rast se vijnë eshtrat sepse në Shqipëri ka thënie të ndryshme disa thonë se e kanë hedhë në det, disa thonë që i kanë shkri me kimikale eshtrat, që i kanë hedhë në gropë të gëlqerës, disa thonë se janë kremosë, janë djegur eshtrat. Ka fjalë të ndryshme që janë shumë të dhimbshme për neve si familje, por në rast se dalin ndonjë herë eshtrat, nëse vijnë që ne atë shpresë nuk e humbim kurrë do ta kemi vendin se ku do ta varrosim”, shtoi ai.

Hoxha tha se në këtë mënyrë do të fokusohen në zbardhjen e aktivitetit të babës së tij.

“Ka disa muaj që jemi duke mbledhë material nga bashkëveprimtarë të ndryshëm të babës dhe do ta bëjmë një dokumentar në bazë të dokumenteve. Meriton edhe ai edhe populli ta kuptojnë cila ka qenë veprimtaria e babës dhe ta zënë vendin e vet në historinë e Kosovës”, përfundoi Hoxha.

Njoftimin, se vitin e ardhshëm pritet të ndërtohet një varr i hapur për Remzi Hoxhën, e ka komunikuar familja e tij në një konferencë për medie me 21 tetor të këtij viti.

25 vjet në kërkim të fatit të Remzi Hoxhës, familjarët do t’i ndërtojnë memorial