
Qendra e Panaireve në Bërnicë, Foto: MINT/Facebook
VIDEO - MINT rikthen Qendrën e Panaireve në Bërnicë
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar se e kanë rikthyer Qendrën e Panaireve të Republikës së Kosovës në Bërnicë, e cila pretendohet se i ishte dhënë për shfrytëzim falas operatorit ekonomik “Grand Media Entertainment” Sh.P.K në vitin 2019.
Njoftimi i MINT është publikuar në Facebook bashkë me një video-mesazh në të cilin paraqitet udhëheqësja e kësaj Ministrie, Rozeta Hajdari duke prezantuar objektin e Qendrës së Panaireve nga brenda.
Sipas ministres Hajdari, objekti dykatësh i Qendrës së Panaireve me sipërfaqe prej 5,600 metër katror dhe me 350 parkingje, i vendosur në një sipërfaqe 11.36 hektarë në Bërnicë, është ndërtuar me investimet kapitale prej 4 milionë euro të buxhetit të Kosovës nga ish-Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI).
Hajdari tregon se kishte pasur një marrëveshje të nënshkruar mes ish-MTI dhe operatorit ekonomik “Grand Media Entertainment” Sh.P.K më 11.09.2019 për ta shfrytëzuar falas objektin e Qendrës së Panaireve me qëllimin për t’i promovuar bizneset vendore përmes panaireve. Por, ministrja deklaron se marrëveshja nuk është realizuar.
“Por, në realitet marrëveshja e nënshkruar me operatorin ekonomik “Grand Media Entertainment” me ish-Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, nuk ishte realizuar. Ku si rezultat me raportet e vlerësimet të auditorit të brendshëm dhe raportet e komisionit vlerësues kanë konstatuar se të gjitha objektivat e kësaj marrëveshje që ishin paraparë në këtë kontratë nuk ishin përmbushur” – ka thënë Hajdari, më 30.01.2025.
Në video-mesazhin e Hajdarit, shihen edhe disa zyrtarë të MINT, me të cilët ajo flet dhe shfaqen disa pamje të dyshmes së çarë në katin e parë të objektit të Qendrës së Panaireve.
Hajdari madje tregon se si është interesuar dhe i ka kontaktuar komunitetet e bizneseve për t’i pyetur nëse kanë pasur bashkëpunim me operatorin “Grand Media Entertainment” Sh.P.K në Qendrën e Panaireve, dhe sipas ministres ata janë përgjigjur se “asnjëherë nuk kemi mundur të realizojmë panair”.
“Dhe kur i pyta prapë – po a keni pasë ndonjë bashkëpunim që të paktën me fillu njëherë në vit, përgjigjja ishte që as 40% e hapësirës nuk na është ofru, duke na ofru disa hapësira me disa ndërprerje” – ka thënë Hajdari.
Hajdari ka shtuar se me 25.11.2024 kishin marrë vendimin për shkëputjen e marrëveshjes me operatorin “Grand Media Entertainment” Sh.P.K për shfrytëzimin e objektit të Qendrës së Panaireve.
“Dhe me 15.01.2025 ne morëm objektin në kontroll me ndihmën e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së tregut duke regjistruar të gjitha asetet dhe duke siguruar objektin e Qendrës së Panaireve” – ka treguar Hajdari.
Tutje, në fund të video-mesazhit të Hajdarit shihet se zyrtarët e MINT e vendosin një letër në dyert e objektit të Qendrës së Panaireve në të cilën shkruan “Ndërprerje e përkohshme e veprimtarisë”.
KALLXO.com ka kontaktuar përmes telefonit me pronarin e kompanisë “Grand Media Entertainment” Sh.P.K, Enis Ujkani, i cili e ka pohuar pozitën që ka në këtë kompani, por pasi është njoftuar se arsyeja e kontaktimit të tij ishte për videon që ka publikuar MINT në Facebook, ai e ka mbyllur telefonin dhe nuk është përgjigjur më.
Megjithatë, KALLXO.com ia ka dërguar pyetje me shkrim Ujkanit dhe deri në publikimin e lajmit nuk ka marrë përgjigje nga ai.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të datës 23.05.2019, Qeveria në atë kohë kishte marrë vendim që të jap në shfrytëzim Qendrën e Panaireve në Bërnicë.
Në atë kohë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, kishte thënë se kjo po bëhet me qëllim të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës.
“Në kuadër të pronave që janë në pronësi të MTI janë edhe 3 objekte, MTI është e interesuar edhe për objekte tjera që mundësojnë zhvillimin ekomomik dhe krijimin e vendeve të punës. Objektet në Bernicë janë ndërtuar më herët dhe nuk janë në shfrytëzim” – kishte thënë ish-ministri Shala, më 23.05.2019.