VIDEO: 'Mia Park Prishtinë' organizon evente për ndërtimin e strehimores për qentë endacakë

Qentë endacakë vazhdojnë të paraqesin problem serioz në komunën e Prishtinës. Të shpeshta janë rastet kur qytetarët raportojnë se janë sulmuar nga këta qen. Hapësira e Parkut të Qytetit është zona ku qentë endacakë kalojnë kohë të gjatë e që shpesh herë shkaktojnë telashe për fëmijët por edhe qytetarët tjerë.

Burim Azemi pronar i lokalit “Mia Park” ka marrë iniciativën për ndërtimin e një strehimoreje për këta qen.

“Unë si pronar i lokalit që jam këtu e kam parë të domosdoshme me bë një strehimore patjetër për qen për shkak që po krijojnë telashe si në rrugën këtu “Rrustem Statovci” po ashtu edhe në parkun e qytetit”, tha ai.

Azemi tutje tha se strehimorja kushton rreth 16800 euro dhe pret se këto para do të sigurohen nga eventet që do të organizohen.

“Realisht kushte normale që lypen për një strehimore nuk mundem as unë me i kriju, por kushte të arsyeshme po, shumë më mirë se qetu që i kanë qentë. Strehimorja kushton diku rreth 16800 euro, një shumë që unë po pretendoj që me u siguruar përgjatë këtyre eventeve për 6 ditë sa do të mbahen dhe një pjesë tjetër po shpresojmë që edhe disa prej ambasadave kanë shpreh interesim për shkak që ky koncept, kjo ide ju ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë sepse këta e kërkojnë edhe qëndrueshmërinë e projektit ku po mendojmë që kur të ndërtojmë atë strehimore që do të jetë mobile do të kontribuojë çdonjëri kur ta merr një qen për shëtitje ku do të lej 50 cent ose 1 euro, nuk është e detyrueshme apo obligative, në mënyrë që ne të përkujdesemi më shumë për qentë dhe në këtë mënyrë besoj që ja dalim”, tha ai.

Lokacioni i strehimores është vendosur në ‘Kodrat e Goleshit’ shton ai.

“Lokacionin e kemi vendos pikërisht në ‘Kodrat e Goleshit’ ku ka një hapësirë të madhe atje, mendojmë që edhe shëtitjet le të jenë me qenë në atë pjesë, dhe shumë shpejtë besojmë që edhe atje do të bëhet një zonë turistike”, shtoi ai.

 Eventet përveçç Dj-ve dhe bendeve të ftuara për muzikë do të përfshijnë edhe filma dhe video me informacione të ndryshme për qentë.

Organizatori thotë se çmim për hyrje nuk kanë vendosur. Fondet do të mblidhen nga paratë e pijeve.

Çmime nuk do të bëjmë për hyrje do të thotë, çmimi i pijeve do të rritet për 50 cent çka është normale, secili me dhanë një kontribut të arsyeshëm, mirëpo do të jetë edhe një kuti për dashamirësit e këtij eventi ku munden me kontribuar në formën e tyre sa munden”, tha ai.

Strehimorja parashihet të ndërtohet menjëherë pas grumbullimit të fondeve.

“Ne po presim menjëherë deri sa t`i ngrisim fondet, atë shumë 16800 euro, atëherë ne do të fillojmë menjëherë ku brenda javës do të implementohet edhe projekti”, tha ai.

Eventet për sigurimin e fondeve për këtë strehimore fillojnë sonte dhe vazhdojnë edhe për 5 mbrëmje tjera duke filluar nga ora 18:00 në Mia Park në Parkun e Qytetit të Prishtinës.