(VIDEO) Mërgimtari ankohet për burokracinë në marrjen e nënshtetësisë kosovare

Mërgimtari nga Suedia, Sherif Hasani po kërkon ta regjistrojë vajzën e tij 23 vjeçare si nënshtetase të Kosovës.

Hasani ka shkuar në Zyrën e Gjendjes Civile të Vitisë për të kryer këtë procedurë.

“Dashta m’i regjistru fëmijët e mi që me i pas dokumentet, po gëzohen kur po ju thojmë ‘hajde po ju bojna dokumente’, pasi ato e kanë nënshtetësinë suedeze si unë. Po neve si mërgimtarë po na dhemb shpirti, pse fëmijët tonë mos me pas një dokument shqiptar, edhe me ardhë me u ndje ato si tonat. Nesër me investu ato me ja u qel një numër llogarie. Neve nuk po na mundësohet, mua personalisht në komunën e Vitisë me i regjistru, me këto padrejtësi që po i bënë udhëheqësit lokal”, thotë Hasani.

 

Akuza e tij është për burokraci të tepruar institucionale.

“Kështu kur filluam me i nxjerr këto (dokumente), na thanë shko paguaj qatje në sportel. Ja flet pagesa. Nuk janë këto vlera të parasë, veç po dua me thanë qe çfarë maltretimi, shko – hajde – kthehu. Njëri ta hypë sheqerin se jam diabetist”, thotë ai.

“Qe ku është pagesa. U ktheva, ajo zonja i regjistroj. Më tha merri këto dokumente komplet, dil në korridor djathtas është zyra juridike, regjistroj. Shkova te zyra juridike dhe ai i nderuari e kryejti punën e tij në mënyrë të duhur. Nuk jam për me pa krejt zi”, thotë Hasani.

Por dëshira e tij për ta regjistruar si nënshtetase të Kosovës vajzën, rezultoi pa sukses.

“Hyra në zyrë. Nuk bëhet ajo pyetje ‘pse nuk i ke regjistru deri tash’. Ato pyetje nuk bëhen, ti nuk mundesh me i ditë punët e mia private, hajde qe llogarit që jam kanë në burg unë 20 vjet, llogarite që jam kanë në burg unë, çka? Qysh me ta jap përgjegjësinë unë, larg asaj. Llogarite që jam kanë i vrarë, u ardhë fëmija me u regjistru pa babë, çka doni me ju bo atyre fëmijëve që ju kanë vdekë baballarët, nënat”, thotë ai.

“Fundi erdh tha nuk lejon Prishtina. I mora dokumentet ditën e mirë, u ktheva, pse – qysh – tek, nuk e di”, thotë Hasani.

Ai thotë se do të tentoj prapë për të regjistruar tani tre vajzat e tij të cilat janë nënshtetase të Suedisë.

“Unë edhe avokat nëse ka nevojë me ardhë ashtu puna, po edhe avokat ka me pagu edhe çdo gjë, unë tre vajzat kam me i bo nënshtetase të Kosovës”, këmbëngulë Hasani.

Nga Zyra Civile në Viti thonë se mërgimtari duhet të ndjek një procedurë tjetër.

Merxhan Sahiti, Udhëheqës i Gjendjes Civile në Viti për KALLXO.com

“Na jemi gjendje civile e respektojmë ligjin. Është Udhëzimi Administrativ,  05/2020 që e parasheh, neni 15 që personat nuk janë regjistru asnjëherë në Kosovë, duhet të ndjekin procedurë tjetër. Nëse një qytetar nuk është regjistruar asnjëherë në Kosovë, si nënshtetas i Kosovës, obligohet që shtetësinë ta marrë  në formë tjetër përmes zyrës së emigracionit dhe nënshtetasve. Na e kemi udhëzu atë, ne nuk guxojmë me bo shkelje”, thotë Sahiti.

Udhëzimi administrativ i Ministrisë së Punëve të Brendshme 05/2020, neni 15  thotë se fitimi i shtetësisë së pjesëtarit të diasporës bëhet përmes shërbimeve konsullore të RKS apo në njërën nga Zyrat e Gjendjes Civile në Kosovë.

Neni 15

Fitimi i shtetësisë së pjesëtarit të diasporës të Republikës së Kosovës

  1. Kërkesa për fitimin e shtetësisë nga pjesëtari i diasporës parashtrohet personalisht për personin e moshës madhore apo përmes njërit prind për personat e mitur në njërën nga shërbimet konsullore të Republikës së Kosovës apo në njërën nga ZGjC në Kosovë.