(VIDEO) Meliza Haradinaj-Stublla shpallet e pafajshme

Lirohet nga aktakuza ish-ministrja e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla. Sot është shpallur aktgjykimi ndaj ministres së punëve të jashme Meliza Haradinaj-Stublla.

Haradinaj Stublla akuzohej nga Prokuroria, për mosdeklarim të pasurisë.

Me këtë aktgjykim të shpallur Haradinaj-Stublla është liruar nga aktakuza.

Gjykata e arsyetoi lirimin e të njëjtës, me atë se nuk është  provuar se ekzistojnë elementet e veprës penale, për të cilën akuzohet Haradinaj-Stublla.

Kujtojmë se më datë 18 dhjetor 2020 në seancën fillestare të rigjykimit, Haradinaj ishte deklaruar rreth fajësisë.

Meliza Haradinaj – Stublla, e cila ishte ministre në detyrë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ishte dënuar nga Gjykata me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 8 muajve.

Pas hulumtimit të KALLXO.com në muajin dhjetor të vitit 2018, më 4 tetor 2019 Gjykata e Prishtinës e kishte shpallur fajtore për mosdeklarim të pasurisë, Meliza Haradinaj – Stubllën, e cila në atë kohë kishte pozitën e këshilltares politike të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Gjykata e kishte dënuar Haradinaj – Stubllën me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 8 muajve, si dhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro, të cilin detyrohej ta paguante brenda afatit prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Sipas Prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj – Stublla kishte vepruar në kundërshtim me nenin 5 dhe nenin 6 të Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar ku ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në fund të vitit 2018, KALLXO.com kishte gjetur se Meliza Haradinaj – Stublla, ish-këshilltarja politike e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nuk e kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion biznesin që e kishte regjistruar në Londër.

Ajo nuk kishte deklaruar të ardhura si pronare e kompanisë “IN MIDDLE LTD”, me zyre në “108 Woolmead Avenue” në Londër.

“IN MIDDLE LTD” ishte themeluar në vitin 2015 dhe deri pak ditë para publikimit të hulumtimit kishte vazhduar të figurojë si biznes aktiv në “Companies House” në Britani të Madhe. Companies House ka kompetenca të njëjta me Agjencinë e Regjistrimit.

Si këshilltare politike e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili kishte ardhur në pushtet në muajin shtator të vitit 2017, Meliza Haradinaj – Stublla ka qenë e obliguar të deklarojë pasurinë si zyrtare e lartë, edhe në vitin 2017 edhe në vitin 2018.

Por në formularin e deklarimit të pasurisë në vitin 2017, Meliza Haradinaj – Stublla, nuk kishte deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Në Agjencinë Kundër Korrupsion, Haradinaj – Stublla kishte deklaruar se merr 577 euro si pagë mujore nga Qeveria e Kosovës si dhe kishte deklaruar se bashkëshorti i saj ka një fitim prej 8500 euro nga biznesi që e ka në Prishtinë.

Por Haradinaj – Stublla nuk kishte deklaruar se posedon aksione në shoqëri komerciale apo letra me vlerë.

Edhe në formularin e deklarimit të pasurisë të vitit 2018, Haradinaj – Stublla nuk kishte deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.

Në maj të vitit 2019, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj këshilltares së kryeministrit të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Këshilltarja e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, u ballafaqua në Gjykatë për akuzën e mosdeklarimit të pasurisë.

Sot shpallet aktgjykimi ndaj ish-ministres Meliza Haradinaj-Stublla