(VIDEO) Mbi 10 shtëpi në Kaçanik të Vjetër në hall nga kanalizimi

Të shqetësuar për faktin që investimet për një jetë më të mirë nuk i kanë dalur ashtu siç kanë menduar janë banorët në Kaçanik. Ata thonë se janë mashtruar nga shitësi i tokës.

 

 

Sipas tyre ai u kishte thënë se kanalizimi është i rregulluar, por kur ata janë vendosur në shtëpitë e tyre ujërat e zeza u kanë hyrë edhe brenda, madje gjatë stinës së verës ka pasur edhe insekte si pasoj e kanalizimit.

Imri Thaçi, njëri nga banorët në këtë lagje thotë se e kanë blerë tokën me premtimin që i plotëson kushtet.

“Ne e kemi ditë që është shit (toka) me kanalizim me rrymë, me ujë, por ato nuk i kanë plotësu kushtet, kanalizimi ka mbetë shumë keq”, thotë Thaçi.

Tutje ai potencon se kanë dashur t`i thonë pronarit të ua kthej paratë, por nuk kanë ku të shkojnë.

“Ne deshëm me këmbëngulje me i thënë pronarit që e kemi ble merre shpinë, tokën, na jep paret. Ku me shku ne kemi ndërtu shtëpi”, thotë ai.

Të njëjtin shqetësim e ka edhe banori tjetër Imer Zeqiri, ai thotë se para se ta blinin tokën pronari u ka thënë që gjithçka është e rregulluar.

“Kur është blerë toka ka thënë (pronari) rrymë keni, kanalizim keni, të gjitha i keni po në fund ka dështu, kanalizimi nuk është hiç”, shprehet ai.

Gjithë këtë e mohon shitësi i tokave Mustafë Lama. Ai thotë se u ka treguar që në fillim se deri ku shkon kanalizimi, dhe nuk i ka detyruar me dhunë të marrin tokën.

“Kanalizimi ka qenë aty kur unë ua kam dhënë pronat, u kam thënë deri këtu është kanalizimi, nëse do merre pronën, nëse jo mos e merr. Unë me dhunë nuk ua kam dhënë. Kjo ka me u rregullu, por kur rregullohet, unë nuk e di”, tha Lama.

Ai pretendon se pjesën tjetër të ujërave të zeza do e rregullojë komuna.

“Poshtë me u vazhdu e ka komuna, kur ta vazhdon komuna e vazhdon. Tash në Komunë më kanë thënë që kur të përmirësohet koha, kanë me dërgu deri tek kanalizimi kryesorë”, potencoi ai

Lama shprehet se pronari i tokës tjetër nuk ua ka lejuar punën e kanalizimit, si dhe kjo gjë do të rregullohet gjysmë nga ai dhe gjysmë nga Komuna.

“Kanalizimi që ka mbetë aty, ka mbetë për shkak të pronarit të pronës (prona e të dëmtuarit H. T.) kur kemi dashtë me vazhdu me bë projektin e ka kthy inxhinierin prapa, thotë në pronën time nuk mundeni me hapë kanalizim, dhe ka mbetë. Mirëpo e kam marrë tjetër kënd ka ardh e ka bërë projektin dhe projektin e kam dërgu në komunë. Me komunën u patëm marrë vesh që 50 me 50 me rregullu”, vazhdoi tutje ai.

Një gjë të tillë e mohon Komuna e Kaçanikut. Kryetari i kësaj komune Besim Ilazi, tregon edhe problemin tjetër që kanë me personin e njëjtë për një rrugë në po të njëjtën lagje. Kryetari thotë se komuniteti në atë pjesë u ka kërkuar që të rregullojnë rrugën, por kur komuna e rregulloi atë, Lama u ka ngritur padi, sipas Ilazit kjo padi është bërë vetëm pse nuk e kanë emëruar rrugën sipas kërkesës së tij.

“Kërkesa e tij ka fillu një vit më vonë dhe si kontest i kësaj ka qenë emërtimi i kësaj rruge gjë që nuk kanë hasur në mirëkuptim ndërmjet banorëve të asaj lagje dhe kjo ka qenë arsyeja apo preteksti i pronarit (Mustafë Lama), i cili ka bërë ankesën në nivel komunal pastaj përmes gjykatës”, tha Ilazi.

Tutje, ai thotë se kur të rregullohet kontesti gjyqësor, do të reflektojnë pozitivisht për të rregulluar ujërat e zeza.

“Jo, në momentin që do ta rregullojmë kontestin gjyqësor ashtu siç ka premtuar ai edhe ne do të reflektojmë pozitivisht”, tha Ilazi për KALLXO.com përmes telefonit.

Pengesën për mos rregullimin e kanalizimit e mohon familja H. T. si dhe Drejtori i Shërbimeve Publike në Kaçanik, Ramadush Osmani.

Ndërsa, Lama nuk ka dashur të flas në lidhje me këtë problem.

Në anën tjetër ujërat e zeza po dëmtojnë edhe H. T. të cilët dëshiruan të mbesin anonim, ku i tërë kanalizimi rrjedhë në pronën e tyre, si pasoj e kësaj nuk po munden ta punojnë tokën.

“Problemi në fjalë ka të bëjë me një kanalizim të ujërave të zeza e cila ka daljen në fillim e pronës time private. Rrjeti i kanalizimit që grumbullon ujërat e zeza nga këto shtëpi e ka daljen shumë pranë këtyre shtëpive dhe direkt në pronën time private ku vazhdon dhe rrjedha e këtij kanalizimi përgjatë gjithë pronës time”, u shpreh për KALLXO.com H. T.

Rrjedhja e ujërave të zeza shkon 250 metra gjatësi dhe 3-4 metra gjerësi, thotë i dëmtuari, dhe si pasoj e kësaj nuk po arrijnë të punojnë tokën.

“Kjo më ka dëmtuar tej mase pasi që përpos erës së keqe të kanalizimit mua më është ndarë toka në dysh nga rrjedha e kanalizimit e cila ma vështirëson edhe punimin e tokës sime bujqësore.  Rrjedha e kanalizimit në pronën time shkon përgjatë 250 m ku gjerësia e rrjedhës së kanalizimit është diku rreth 3-4 m e gjerë”, rrëfen tutje ai.

I dëmtuari thotë se ka bërë disa herë kërkesë në komunë dhe tek personi përgjegjës Mustafë Lama për të bërë një zgjidhje, madje ai thotë se kemi shprehur gatishmërinë për të ofruar edhe ndihma financiare.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.