VIDEO- Mashtrimet publike të LDK-së për koalicionet me PDK

‘LDK-ja nuk do të bëjë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës’. Ky ishte lajmi i parë që është dhënë nga Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së LDK-së.

Premtime të tilla janë dhënë edhe në të kaluarën, e jo gjithmonë janë mbajtur.

Në fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2014, zyrtari i lartë i LDK-së, Ismet Beqiri kishte thënë se LDK-ja nuk do të hyjë në koalicion me PDK-në.

“Ne si LDK me programin tonë do të qeverisimë, por në asnjë mënyrë e në asnjë rrethanë me Partinë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Beqiri.

Ai e ka rikonfirmuar dy herë këtë qëndrim.

“Unë jam zyrtar i lartë i LDK-së dhe e deklaroj me kompetencë që LDK-ja do të qeverisë pa PDK-në dhe pa koalicion me ta”, ka thënë Beqiri.

Pas përfundimit të zgjedhjeve të vitit 2014, koalicioni i udhëhequr nga PDK-ja kishte dal i pari në zgjedhje.

LDK-ja së bashku me VV-në, AAK-në dhe NISMA-në e kishin formuar një koalicion për formimin e qeverisë pa PDK-në. Ishte zgjedhur edhe kryeparlamentari. Por, gjithçka kishte ndryshuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që vendosi që zgjedhja e kryeparlamentarit ishte kundër kushtetuese dhe se PDK-së i takon mandati për formimin e qeverisë.

Në fund, LDK-ja i kishte ‘tradhtuar’ bllokun opozitar dhe kishte hyrë në koalicion me PDK-në. Ky koalicion e bëri kryeministër Isa Mustafën, e Hashim Thaçin president.