Cila grackë u përdor për të gjurmuar bosët e Karaçevës
Një hetim i gjatë më shumë se një vit rezultoi me dhjetëra të arrestuar, më shumë se dhjetë objekte të rrënuara në Karaçevë që shërbyen si kazino ilegale dhe 12 zyrtarë policor të arrestuar.
Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë”, u transmetuan pamjet ekskluzive të një hetimi të gjerë në zonën për të cilën pretendohej se nuk mbikëqyrej nga asnjë institucion kosovar.
Kjo kishte dhënë hapësirë që disa qytetarë e disa zyrtarë policor të krijonin një zonë ku luhej bixhozi e zhvillohej kontrabanda me kafshë e mallra të tjera.
Shefi i Divizionit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Inspektoratin Policor të Kosovës, Bardhyl Haxhimustafa, shpjegoi se cilat masa i kishin ndërmarrë për të vëzhguar personat e identifikuar si të dyshuar.
“Nga prokurorja e rastit kemi marr autorizimin për fillimin e hetimeve. Kemi bërë kërkesa për urdhërimin e masave të fshehta të cilat do të përdoren lidhur me këtë rast. Kemi bërë planifikimin e ekipeve të hetuesve nga IPK të cilët secili ekip e ka rolin e vet në implementimin e masave të fshehta, vëzhgimin monitorimin e bisedave, vëzhgimin e zyrtarëve policor, vëzhgimin e patrullave policore, vëzhgimin e zyrtarëve policor jashtë detyrës zyrtare. Detyrat kryesore të hetuesve të cilët do të bëjnë implementimin e masave të fshehta është që të provojnë komunikimin e zyrtarëve policor se si komunikojnë me grupet që zhvillojnë kontrabandën në këtë zonë, takimet se ku mbajnë dhe marrëveshjen për kalime të papenguara në këtë zonë”, tregon Haxhimustafa.
Ai shtoi se zyrtarët policor që po dyshoheshin se u mundësonin qytetarëve kontrabandimin me kafshë ishin të stacionit policor kufitar në Muçivërcë.
“Dyshimet paraprake të IPK-së janë se zyrtarët policor të kufirit në Muçivërc janë të lidhur ose kanë bashkëpunim me grupet kriminale të cilët bëjnë kontrabandimin e mallërave të ndryshme nga kjo zonë. Do të përcjellim se a janë duke respektuar oraret ditore tw cilat planifikohen nga udhëheqësit e tyre se ku planifikojnë të qëndrojnë në pika statike apo vëzhguese. Dyshimet tona janë se zyrtarët policor në marrëveshje me grupet kriminale lirojnë para kohe pikat statike apo pikat e kontrollit ku janë të përcaktuar në bazë të orareve paraprake. Me këtë lëvizje që bëjnë zyrtarët policor pa lajmëruar eprorët e tyre, kjo bëhet me qëllim të kalimit të papenguar të mallit të kontrabanduar që e bëjnë grupet e kriminalizuara”, vazhdoi Haxhimustafa.
Në vazhdim, Haxhimustafa tregon edhe për procesin e vëzhgimit të kamionëve që kalonin përmes rrugëve të Karaçevës dhe vazhdonin nëpër pika të destinuara nëpër Kosovë.
“Jemi gati në dalje të autostradës Prishtinë- Prizren në hyrjen veriore për qytetin e Prizrenit, kemi ftuar një patrullë policore nga Gjakova me qëllim të mos identifikimit të operatorëve tonë që kanë bërë përcjelljen e kamionëve nga zona e Kamenicës përkatësisht nga Karaçeva deri në këtë pikë. Tani spo të bëhet ndalja e zyrtarëve policor me qëllim të verifikimit dhe dëshmimit që në të gjendet gjedhet e kontrabanduara”, vazhdon të tregoj Haxhimustafa.
Deri sa Haxhimustafa shpjegon ndaljen e kamionit tregon se në të gjenden gjedhet të cilat ishin të kontrabanduara e që ishin bartur nga Karaçeva drejt pikave të ndryshme të Kosovës.
“Kamionët dhe personat që kanë qenë në të janë liruar pas marrjes së të gjitha shënimeve që do të nevojiten për hetim të mëtejmë të rastit Kamionët janë nisur në destinacione të caktuara ku operatorët tanë që janë në pika të ndryshme janë duke i përcjellur për të bërë verifikimin dhe destinimin ku e kanë cakun për me i dërgu këto gjedhe. Këto kamionë të cilët u verifikuan janë përcjellur nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës nga Karaçeva deri në pikën përfundimtare ku ata do të bëjnë shitjen e gjedheve të kontrabanduara”, tha ai.
Emisioni i sotëm në “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hetimin disa mujor të institucioneve në lidhje me kapjen dhe arrestimin e më shumë se 50 personave në lidhje me rastin Karaçeva.
Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: