(VIDEO) LVV nuk e pranon asesi kushtin e LDK-së për Presidentin

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë që kërkesa e LDK-së për postin e Presidentit nuk është e drejtë, dhe si e tillë është e papranueshme për Lëvizjen Vetëvendosje.

Në një intervistë për KALLXO.com, Haxhiu ka thënë se qytetarët kanë shprehur vullnetin që qeveria e ardhshme të formohet nga LDK-ja dhe VV-ja.

 

“Ne si subjekt politik veprojmë në bazë të rrethanave dhe duke pasur parasysh që edhe vet qytetarët e Republikës përmes vullnetit të shprehur në zgjedhjet e gjashtë tetorit e kanë dashur këtë koalicion, ne jemi angazhuar me të gjitha forcat tona për të arritur koalicion”, ka thënë ajo.

Sipas saj me LDK-në nuk është problem besimi në të, por kërkesa e saj për postin e presidentit.

“Unë nuk e shoh që ka mungesë besimi por ka kërkesa joracionale dhe jo të drejta që i ka parashtruar tash së fundi LDK-ja. Në fakt kur jemi lëshuar për të folur për përgjegjësitë qeverisës ka dalur edhe kërkesa që LDK-ja të ketë kandidatin për President, pra nuk shoh që ka një mungesë besimi, por ka kërkesa të cilat për Vetëvendosjen janë të pakapërcyeshme dhe të papranueshme”, ka thënë ajo.