Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

VIDEO – Kurti flet për kthimin mbrapa të Ushtrisë së Shqipërisë që u nisën në Kosovë pas vërshimeve

Pas raportimit të KALLXO.com për kthimin mbrapa të Ushtrisë së Shqipërisë që u nisën drejtë Kosovës për ndihmë nga vërshimet, kryeministri Albin Kurti ka folur për këtë çështje në Kuvend.

Kurti ka thënë se Kosova ka qenë shumë larg limiteve të kapaciteteve që t’i vijë në ndihmë Shqipëria.

Ai ka thënë se institucionet janë falënderuese për këtë gatishmëri por nuk kanë pasur nevojë për atë lloj ndihme.

“Është e vërtetë që Shqipëria e ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar me ushtrinë e saj kur ndodhën vërshimet, por Ministria jonë e Mbrojtjes dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë qenë të qarta se janë shumë falënderuese për këtë gatishmërinë por nuk ka pasur nevojë për atë lloj ndihme sepse e kanë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, edhe Policitë edhe AME. Kemi qenë shumë larg limiteve të kapaciteteve tona që të na vijë në ndihmë edhe Shqipëria”- ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti tutje ka thënë se institucionet e Kosovës për shkak të organizmit dhe bashkëpunimit me qytetarët e komunat, kanë arritur të i’a dalin me sukses nga vërshimet e janarit.

“Ata kanë qenë në Kukës, ne jemi shumë mirënjohës dhe falënderues që në një rast të vështirësimit të mëtutjeshëm të gjendjes për shkak të vërshimeve do të mund të na ndihmonte Shqipëria. Por për shkak të organizmit të mirë edhe mes qytetarëve e komunave me Qeverinë kemi arritur që me forca tona të dalim suksesshëm”- ka thënë Kurti.

Kurti nuk ka treguar nëse Kosova i ka bërë ftesë Ushtrisë së Shqipërisë për t’i dalë në ndihmë pas situatës së krijuar nga vërshimet.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj duke cituar raportimin e KALLXO.com për kthimin mbrapa të Ushtrisë së Shqipërisë në Kosovë pas kërkesës që kishte bërë Qeveria e Kosovës për ndihmë nga vërshimet, i ka kërkuar sqarime Qeverisë së Kosovës.

Deputetja Kadrijaj ka kërkuar sqarime nga kryeministri Kurti se cili ishte qëllimi i ndalimit të ushtrisë së të Shqipërisë për të ndihmuar qytetarët e Kosovës gjatë vërshimeve.

“Ju si Qeveri keni bërë thirrje me ardhë, vet ish këshilltari Lorik Lipoveci, dhe si është e mundur vetë ti kërkosh ndihmë e më pas ti kthesh në kufi. Për ketë e keni detyrua edhe këshilltarin me dhënë dorëheqje. Nuk qëndron ajo që nuk keni pasë nevojë. Nëse s’ka pas nevojë pse i keni ftua”- ka thënë Kadrijaj.

KALLXO.com, dy ditë më parë raportoi që pas vërshimeve të janarit, përveç institucioneve vendore ishte kërkuar ndihmë edhe nga Shqipëria, saktësisht nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë.

Ani pse një kontingjent me trupa ushtarake ishte nisur drejt Kosovës në mbrëmjen e 20 janarit për ndihmë, pas disa orë pritjeje në Kukës forcat shqiptare u kthyen mbrapa, pasi u ishte thënë se nuk ishte e nevojshme ndihma e tyre.

KALLXO.com ka zbuluar se kjo kërkesë ishte bërë nga Lorik Lipoveci, ish-këshilltari politik i ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Lipoveci katër ditë pas kësaj kërkese kishte dhënë dorëheqje ndërsa në një bisedë me KALLXO.com tha se do të merrej me diçka tjetër, jo në MPB, por në institucione të tjera.

Në asnjë moment Lorik Lipoveci nuk e ka mohuar faktin se kishte ftuar Ushtrinë e Shqipërisë për ndihmë.

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se strukturat operacionale të Forcave të Armatosura pas kërkesës nga autoritetet kosovare, menjëherë ishin aktivizuar.

Ata qëndruan për disa orë në Kukës, ndërsa u kthyen mbrapa pasi iu tha se nuk ishte e nevojshme që të ndërhynin për ndihmë.

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka thënë për KALLXO.com se kërkesa ka ardhur nga kabineti i ministrit Sveçla.

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Që nga 31 janari e deri më sot Ministria ka kthyer vetëm një përgjigje.

“Më lejoni të ju njoftoj se këshilltari i Ministrit të Brendshëm, Lorik Lipoveci ka dhënë dorëheqje për arsye të obligimeve personale dhe familjare”- thuhet në një përgjigje të zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi.

Këto arsye personale dhe familjare nuk i ka përmendur Lipoveci në bisedën me KALLXO.com.

Ai gjatë një bisede me KALLXO.com ka thënë se tashmë do të angazhohet me gjëra të tjera në sistemin publik por jo në MPB.

Tutje, sipas Lipovecit, dorëheqja e tij nuk lidhet me kërkesën që i është bërë Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë.

“Unë kam dhënë dorëheqje sepse do të marr detyra të tjera. Jo, jo,  nuk ka të bëjë ajo, sepse unë, unë do të marrë detyra të tjera, do të angazhohem në disa sfera të tjera publike, prandaj…”- tha Lipoveci.

Ai nuk pranoi të japë detaje në lidhje me kërkesën që iu bë Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë.

Ushtria shqiptare u ftua por nuk u lejua të ndihmojë Kosovën gjatë vërshimeve të janarit