Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

VIDEO - Kurti flet për grevën në arsim, thotë se çmimet nuk janë rritur veç për mësuesit

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se çështja e rritjes së pagave për mësimdhënësit nuk është problem specifik sepse çmimet nuk janë rritur në mënyrë specifike vetëm për ta.

“Nëse në vetëshërbime do të shkruante çmimet e rritura vlejnë për arsimtarët dhe mësuesit ky do të ishte një problem specifik. Arsyeshmëria ka qenë se çmimet janë rritur, çmimet janë rritur për të gjithë, dhe për të gjithë ne kemi pakon e përballjes me inflacion” – është shprehur Kurti.

Kurti ka thënë se kjo pako ka qenë edhe rezultat i trysnisë së sindikatave.

“Më 1 shtator kemi takuar kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykollin, dhe ia kemi ofruar triumfin ta publikojmë bashkë pakon për inflacion. Kam dashur që ata të bëhen pjesë e fitores. Është edhe rezultat i trysnisë së tyre, pakoja që po e bëjmë. Ju ka pëlqyer, por nuk kanë pranuar pasi kanë dalë nga takimi e nuk e di me kë janë konsultuar” – ka thënë Kurti.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nga 25 gushti kanë filluar grevën e përgjithshme.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës është pjesë e kësaj greve.

Sindikalistët ndër të tjerash po kërkojnë rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat.