Albin Kurti në Ohër, Foto: KALLXO.com

VIDEO - Kurti: E kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve, mirë po shkon puna

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar në lidhje me qëndrimet e faktorëve ndërkombëtarë për situatën e djeshme, duke thënë se kanë synuar që të sigurohet hyrja e kryetarëve të zgjedhur në vendet e punës.

Kurti tha se e ka mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe siç u shpreh ai “mirë po shkon puna”.

“Sa i përket ditës së djeshme, ajo çfarë është e rëndësishme të theksohet është që krejt se çka kemi synuar ne, si Qeveri dhe institucione të republikës, është që të mundësojmë që kryetarët e komunave të zgjedhur në zgjedhjet demokratike të kenë qasje dhe të punojnë nëpër zyrat e tyre ku duhet t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, feje, e përkatësie dhe për këtë besoj që për këtë do ta kemi mbështetjen e të gjithë faktorëve ndërkombëtar”- ka deklaruar ai për RTV Dukagjini.

“E kemi mbështetjen e [ndërkombëtarëve] dhe mirë po shkon puna “- ka shtuar kreu i ekzekutivit.

Situata e krijuar dje, nxiti një reagim të ashpër nga institucionet ndërkombëtare të vendosura në Kosovë, por jo vetëm.

Të premten, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken reaguar në lidhje me zhvillimet në veri duke dënuar veprimet e Qeverisë së Kosovës që sipas tij, “po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin”.

Blinken i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë këto masa dhe të përqendrohet në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Pas tij, nisën reagimet edhe nga diplomatët e tjerë e Bashkimi Evropian.

“Siç ka deklaruar vazhdimisht BE-ja, zgjedhjet e fundit të pjesshme në veri të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për komunat e përfshira. Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real ndërmjet të gjitha palëve kyçe të interesit, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës – nën lehtësimin e BE-së” – thuhet në reagimin e BE-së.

Në orën e vona të së premtes me një deklaratë të përbashkët erdhën edhe shtetet e QUINT-it.

Ambasadat e Francës, Italisë, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se dënojnë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës pavarësisht thirrjes për përmbajtje.

Të premten, në katër komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.