VIDEO: Kur këshilltari i Haradinajt ftonte Shpend Ahmetin t'ia pastrojë çizmet

Sot janë në një koalicion, por dikur ata kundërshtonin fort njëri- tjetrin.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate bashkuan forcat për zgjedhjet e 6 tetorit.

Mirëpo, në zgjedhjet e fundit lokale në vitin 2017, kandidati i AAK-së për të parin e kryeqytetit, Arbër Vllahiu, e kundërshtonte shumë kreun aktual të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili atëbotë kandidonte nën siglën e Vetëvendosjes.

Në DebatParime për zgjedhjet lokale të vitit 2017, Arbër Vllahiu dhe Shpend Ahmeti patën fjalë thumbuese për njëri- tjetrin.

Në mes tjerash, Vllahiu i tha Ahmetit se duhet t’ia japë “çizmet sepse i janë përlyer nga lloçi nëpër rrugët e Prishtinës”.

“Ndoshta duhet t’ia jap (çizmet) kryetarit të Prishtinës (Shpend Ahmeti) për m’i la”, pat thënë Vllahiu në debat. Në atë kohë, Arbër Vllahiu ka qenë këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj ndërsa aktualisht është Ambasador i Kosovës në Republikën e Çekisë.

Por, përgjigja e kryetarit të PSD-së ishte interesante.

“Ajo çka kërkoj falje prej Arbrit është se ende nuk e kemi ofruar shërbimin me ja pastru këpucët Qeverisë”, ia ktheu Shpend Ahmeti.

KALLXO.com sjell përballjen në zgjedhjet lokale të vitit 2017 ndërmjet kandidat për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu- AAK dhe atij të VV-së, në atë kohë, Shpend Ahmeti.