VIDEO: Krimet e luftës në Pejë, 12 vjet burgim për Zoran Gjokiqin

Gjykata e Prishtinës ka shpallur aktgjykimin në rastin e Zoran Gjokiqit, i akuzuar për krime lufte, të kryera sipas Prokurorisë Speciale gjatë muajve mars-prill të vitit 1999, në lagjen “Kristal” dhe “Te Soliterat” në Pejë.

Gjokiq është dënuar me 12 vjet burgim.

Në dënim do t`i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim.

Aktgjykimin e ka shpallur kryetari i trupit gjykues Arben Hoti.

Para shpalljes së aktgjykimit, gjykatësi Arben Hoti tha se Gjykata ka analizuar të gjitha provat veç e veç, si dhe ka vërtetuar gjendjen faktike bazuar në dëshmitë e dëshmitarëve si dhe provave materiale.

Gjykatësi Hoti tutje shtoi se Gjykata në fillim ka vërtetuar faktet jokontestuese si dhe ka analizuar edhe alibinë e të pandehurit dhe kishte arritur në përfundim se një alibi e tillë nuk është vërtetuar.

“Gjykata pas procedurës së provave në seancën për këshillim dhe votim, ka analizuar të gjitha provat veç e veç të lidhur me njëra-tjetrën dhe ka vërtetur gjendjen e fakteve bazuar në dëshmitë e dëshmitar[ve dhe provave materiale që janë administruar në këtë shqyrtim gjyqësor duke nxjerrë përfundime dhe cilat fakte konkrete janë provuar lidhur me veprën penale e cila i është vënë në barrë të pandehurit”, tha gjykatësi Hoti.

 

“Gjykata në fillim ka vërtetur faktet jokontestuese që janë se më 28-29 mars të vitit 1999 në qytetin e Pejës  kishte ndodhur një aksion i forcave të armatosur serbe kundrejt popullsisë civile shqiptare me qëllim të dëbimit të kësaj popullsie nga shtëpitë e tyre ku kishte edhe të vrarë … Gjykata me vëmendje të veçantë ka analizuar edhe alibinë e të pandehurit dhe ka arritur deri në përfundimin se një alibi e tillë nuk është vërtetuar edhe pasi Gjykata ka dëgjuar dëshmitarët e mbrojtjes Snezhana Markoviq dhe Ilia Cakaroviq, sepse alibi e të pandehurit është rrëzuar nga dëshmitarët Selami Taraku dhe Fatmir Shala të cilët kanë punuar me të pandehurin së bashku  në emision verifikues të së drejtës”, shtoi ai.

Tutje, gjykatësi Hoti tregoi pse nuk vërtetohet alibia e të pandehurit.

“Alibia e të pandehurit nuk vërtetohet edhe në bazë të provës materiale – lista e pjesëtarëve rezervë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ku edhe vetë i pandehurit ka pranuar se ka pranuar nga kjo ministri armë automatike. Pra, me këtë provë është vërtetuar se i pandehuri ka qenë pjesë e grupit të armatosure  të Policisë rezervë”, tha gjykatësi.

Pas shpalljes së aktgjykimit ka folur edhe avokati i palëve të dëmtuara, Kujtim Kërveshi.

“Përveç vendimit, jam shumë i kënaqur me gjithë procesin dhe rrjedhën e cila është zhvilluar deri tani. Po ashtu jam i kënaqur me lartësinë e dënimit të shqiptuar nga rrethanat që janë vërtetuar nga i gjithë ky gjykim”, tha Kërveshi.

Avokati Kërveshi tha se do ta lexojë aktgjykimin për të parë si janë peshuar faktet, sidomos deklaratën e një të dëmtuari i cili e lidh të pandehurin drejtpërdrejt me vrasjen e dy qytetarëve shqiptarë të paarmatosur.

“Duhet t[ jem i rezervuar, mbas leximit të aktgjykimi të gjykatës për të parë si i ka peshu gjykata ato veç e veç, në veçanti me një deklaratë të palës së dëmtuar që e lidh të pandehurin drejtpërdrejt në vrasjen e dy qytetarëve shqiptare të paarmatosur në atë kohë”, theksoi avokati