Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj

VIDEO - Konjufca nuk ia vazhdon fjalën deputetit Kokaj ku fliste për energjinë

Në Kuvendin e Kosovës, është diskutuar rreth Marrëveshjes që Kosova ka nënshkruar me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) për çështjen e energjisë.

Deputeti i PDK-së Hisen Berisha ka thënë se Kosova ka arritur një marrëveshje e cila sipas tij nuk është inovative. Por sipas tij është projekt i nevojshëm.

“Kemi arrit një marrëveshje e cila e mundëson që energjinë mos ta ruajmë nëpër frigoriferë sepse është e pa mundur siç e ka zbuluar shkencëtari ynë shoku Zylo apo kryeministri por në akumulator kjo nuk gjeneron energji të mjaftueshme nga prodhimi i KEK-ut dhe nuk e  stabilizon këtë fushë por e stabilizon pasjen e energjisë”, tha ai.

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj ka thënë se secili ka të drejtë minutat e tij t’i shfrytëzojë në mënyrën e vet, por sipas tij disa parafolës nuk e dinë se çka është efiçienca.

“Disa flasin për efiçiencën kur nuk e dinë fare se efiqienca është e lidhur kur një formë e energjisë shndërrohet në energji tjetër. Ajo nuk krijohet energjia mund të shndërrohet prej një forme në formë tjetër…. Disa parafolës nuk e dinin se çka është eficienca”, tha Kokaj.

Kurse, deputeti Berisha i ka drejtuar pyetje deputetit Kokaj se ky projekt a është i nevojshëm apo inovativ.

“E di që jeni njohësi më i madh i kësaj fushe në nivel botëror dhe ngritëm në këmbë për nivelin tuaj profesional e shkencor. Por na thuaj qartë dhe prerë projekti i këtyre baterie a është i nevojshëm apo është inovativ”, ka drejtuar këtë pyetje deputeti Berisha.

Deputeti i LVV-së Kokaj ka filluar të jap sqarime për të cilat i përfunduan minutat e tij ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca nuk ia vazhdoi fjalën duke i thënë se kjo çështje është e ndërlikuar.

“Bateritë janë akumulator. Akumulohet energjia e cila është e bazuar në polarizim. Jone të cilat gjinden në mes të dy elektrodave polarizohen dhe kjo është forma e akumulimit të energjisë për mos me u fut në detaje. Nëse futem për inovacionin prej kohës së zbulimit vazhdimisht ekziston avancim i baterive dhe mënyra e polarizimit”, tha Kokaj.

Ndërkaq, Konjufca tha se në seancë e kanë në votim marrëveshjen e jo këtë problematikë.

“Kjo është çështje e ndërlikuar dhe vazhdojmë. Konsiderojmë që kjo nuk është çështje minuti. Kjo është shumë me e gjerë si problematikë, merr kohë. Në votim e kemi marrëveshjen jo këto komplikim”, tha Konjufca i cili i bëri deputetë të qeshin me këtë deklaratë të tij.