
VIDEO - Konjufca deputetëve të Listës Serbe: Turp të keni, e patolerueshme të vini një herë në gjashtë muaj
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka ndërprerë punimet e seancës së Kuvendit të Kosovës, pas ardhjes së deputetëve të Listës Serbe në sallë.
Konjufca ka thënë se ardhja e tyre në Kuvend një herë në gjashtë muaj është “sjellje e patolerueshme”.
Ai ka kërkuar nga të njëjtit ta lirojnë Kuvendin e Kosovës, ndërsa u ka thënë “Shkoni edhe rrini gatitu Shefit kriminel [Millan] Radoiçiq”.
“Ju drejtohem deputetëve të Listës Serbe, që vijnë e provokojnë në këtë mënyrë. Është me të vërtetë e patoleroueshme në Kuvendin e Kosovës kjo sjellje – një herë në gjashtë muaj me ardhë me keqpërdorë para të taksapaguesve. Në anën tjetër, e luftoni Kosovën me çdo mjet që keni. Shkoni edhe rrini gatitu Shefit kriminel Radoiçiq. E keni guxim me ardhë në Kuvendin e Kosovës. Turp të keni! Ndërprehet kjo seancë e kërkoj me e liru Kuvendin e Kosovës.” – është shprehur ai.
Edhe herëve të tjera, deputetët serbë janë paraqitur në seancë pikërisht në kohën, kur u është afruar gjashtëmujori i mospjesëmarrjes në Kuvend, meqë sipas Nenit 70 të Kushtetutës: “Mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse mungon në seancat e Kuvendit gjashtë muaj rresht”.
Ligjvënësit e ri nga komuniteti serb erdhën pas dorëheqjes së dhjetë deputetëve paraprak të Listës Serbe, pas një vendimi të këtyre të fundit në Nëntor të 2022-tës.
Vitin e kaluar KALLXO.com pati raportuar se pavarësisht mungesave, deputetëve serbë rroga mujore iu ka ecur normalisht njëjtë si deputetëve të tjerë.
Dhjetë deputetët paraprak të Listës Serbe (LS) kishin zyrtarizuar dorëheqjet e tyre, nga mandati i deputetit në Kuvendin e Kosovës, në fillim të Nëntorit të 2022-tës.